Mediumi proqeveritar serb “Kurir” ka raportuar se i dyshuari për vrasjen e policit serb mbrëmë në Loznicë të Serbisë është Artan Hajrizi nga Kosova, për të cilin thotë se është i arratisur nga burgu në Kosovë.
Përveç kësaj, ka publikuar edhe letërnjoftimin e tij gjerman duke shtuar se po tentonte të ikte në vendet e BE’së nëpërmjet rrugëve që i shfrytëzojnë migrantët.
“Ai dyshohet se është arratisur nga burgu në Kosovë 15 ditë më parë dhe supozohet se për këtë ka shtënë në drejtim të policëve kur ata ndaluan një taksi gjatë një kontrolli rutinë në Loznicë. Siç mësojmë jozyrtarisht, ai filloi të ikte përmes rrugëve të emigrantëve për në BE”.
Sidoqoftë, nga burgu i Smrekonicës së fundi ka ikur Faton Hajrizi. Ai është i shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Por, nuk dihet nëse Artan Hajrizi – të cilit iu gjetën dokumentet në vend të ngjarjes sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë – ka lidhje me Faton Hajrizin.