Sekretari i Aleancës, Avni Arifi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Arifi tha se dinamikat politike duhet t’i përcaktojë partia që ka marrë më së shumti vota, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.
“Dinamikat politike i përcakton partia që ka fituar më së shumti vota. Në këtë rast ne kemi një parti që ka pothuajse afër 50% të votave. Nuk mundet një parti me shtatë deputetë me i përcaktu dinamikat politike”, tha Arifi.
Ai tha se Aleanca kishte bërë ofertën e saj para zgjedhjeve dhe se, sipas tij, mospranimi i kërkesave të kësaj partie duhej të kuptohej si sinjal se vendi po shkonte drejt zgjedhjeve.
“Ne kemi bërë ofertë. Oferta jonë ka qenë shumë e lehtë dhe jo vetëm ne, por të gjithë u dashtë me e kuptu. Në momentin që nuk i ka akceptuar ato kërkesa të Aleancës, është dashur me e ditur Kosova që ky po na çon në zgjedhje”, u shpreh ai, transmeton Klankosova.tv.
Arifi shtoi se Aleanca nuk do të lejojë, siç tha, që të përdoret politikisht nga Kurti apo Vetëvendosje.
“Kurrë s’kemi me lejuar me na ngre për hunde Albin Kurti, as Lëvizja Vetëvendosje në emër të asnjë vlere, sepse për vlerat që qëndron ky popull dhe ky shtet, dihet ku qëndrojmë ne dhe ku qëndron Kurti”, tha Arifi në “Rubikon”.






