Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gruda tha se aktgjykimi, sipas tij, i ka adresuar pretendimet që PDK-ja i kishte ngritur që nga 6 gushti, duke theksuar se afatet kushtetuese nuk mund të zhvendosen përmes zvarritjes së procedurave parlamentare.
“Çdo gjë që kemi thënë ne prej 6 gushtit, kur është mbajtur mbledhja e parë e Kuvendit, është vërtetuar në këtë aktgjykim. Ne kemi thënë që afatet që ekzistojnë në Kushtetutë nuk mundet një parti politike me i zhvendos”, tha Gruda.
Ai theksoi se, sipas interpretimit të tij të aktgjykimit, zvarritja e konstituimit të Kuvendit nuk mund të përdoret për të shtyrë afatin për zgjedhjen e presidentit.
“Gjykata Kushtetuese sot e konfirmoi këtë. Më vjen mirë që e ka thënë shumë qartë”, u shpreh ai.
Gruda rikujtoi edhe vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me fillimin e afatit për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se Kuvendi është dashur të konstituohej më 7 gusht.
Sipas tij, Gjykata ka përcaktuar se afati për zgjedhjen e presidentit ka nisur në gusht dhe përfundon më 6 tetor.
“Gjykata i rivendosi afatet, i ktheu mbrapa dhe tha me të drejtë që afati për president ka nisur në gusht dhe mbaron më 6 tetor”, tha Gruda në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Ai e cilësoi këtë si një standard të rëndësishëm, pasi, sipas tij, shmang mundësinë që një parti politike të ndikojë në afatet kushtetuese përmes zvarritjes së procedurave.
“Ky është një standard tepër i vlefshëm, sepse e heq njëherë e mirë dilemën që një parti mundet, duke zvarritur dhe duke krijuar lojëra politike, me i shty afatet kushtetuese”, përfundoi Gruda.
“Çka ka ndodhur me këtë aktgjykim, për këtë pjesë, është se ka shkatërruar planin e Vetëvendosjes për t’i zhvendosur zgjedhjet më 27 dhjetor”, shtoi ai






