Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca i cili po qëndron në New York, duke iu referuar sulmit terrorist në Banjskë, rikujtoi se nesër shënohen tri vjet nga ky sulm, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai rikujtoi gjithashtu se kriminelët që kryen sulmin, sot vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi, duke nënvizuar se Banjska dëshmon qartë pse llogaridhënia është e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Zëvendëskryeministri Konjufca iu referua gjithashtu sulmit të vitit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, i cili ka rol kyç në furnizimin me ujë dhe në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës. Ai vlerësoi se ky rast tregon qartë pse qëndrueshmëria dhe mbrojtja e sistemeve thelbësore të vendit nga sabotimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride duhet të jenë pjesë e pandashme e sigurisë rajonale”.
“Ai theksoi se Kosova u përball me të dyja këto sulme dhe doli fitimtare, ndërsa nënvizoi se këto nuk janë kërcënime abstrakte për vendin tonë. Kosova i ka përjetuar drejtpërdrejt dhe, pikërisht për këtë arsye, është e gatshme të japë kontribut konkret në përgjigjen e përbashkët rajonale ndaj sulmeve të tilla”, thuhet në komunikatën për media.






