Mediumi italian që raporton për çështje të mbrojtjes “Infodifesa.it”, ka raportuar për marrjen e komandës së KFOR-it nga gjenerali italian Roberto Vergori.
Sipas këtij mediumi, tranzicioni i përgjegjësisë për Urën e Ibrit te Policia e Kosovës tashmë është e dukshme.
“Tranzicioni tashmë është i dukshëm në terren: kalimi i përgjegjësisë për urën kryesore mbi Ibër, në Mitrovicë, te Policia e Kosovës, si dhe përfshirja e kësaj policie në dispozitivin e sigurisë përreth Manastirit të Deçanit.”, shkruan media italiane.
Ky medium ka cituar gjeneralin turk, Ozkan Ulutas, i cili para largimit të tij, ka theksuar se “optimizimi nuk përbën transferim të mandatit të KFOR-it te Policia e Kosovës dhe as nuk përfaqëson tërheqje apo zvogëlim të angazhimit të NATO-s”.
Pavarësisht progresit “Infodifesa” shkruan se nga vetë komanda, situata përshkruhet si “e brishtë”, me “potencial për tensione të reja”, veçanërisht në veri të Kosovës.






