Më 23 gusht 2025, duke filluar nga ora 10:00, do të zhvillohet Marshi i Lirisë, një aktivitet përkujtimor në nderim të dëshmorëve të kombit dhe në kuadër të Ditës së Brigadës 121 “Kumanova”.
Marshimi do të nisë nga Bajraku i Luzhnicës, pikërisht nga vendi ku ranë heroikisht Ismet Jashari “Komandant Kumanova” dhe bashkëluftëtarët e tij: Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj, Habib Zogaj, Gani Kastrati dhe Sahit Tixhaj.
Pjesëmarrësit do të ndjekin shtigjet e lavdisë deri në Kompleksin Memorial në Kleçkë, ku do të bëhen homazhe dhe do të nderohen dëshmorët e kombit.
Pas ceremonisë në Kleçkë, aktiviteti do të vijojë në Kodrën e UÇK-së në Ngucat, ku OVL e UÇK-së, nëndega në Ngucat, do të organizojë një aksion për dhurimin e gjakut.
Këshilli Organizativ u ka bërë thirrje bashkëluftëtarëve, familjarëve, veteranëve, invalidëve dhe të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen marshimit dhe të marrin pjesë në këtë aktivitet përkujtimor.
“Marshi i Lirisë” synon të ruajë kujtimin dhe nderimin për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes për dëshmorët e kombit.
Nisja: Bajraku i Luzhnicës, ora 10:00
Destinacioni: Memoriali dhe Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Kleçkë
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!







