Mbyllet pjesa e parë në Pragë, Kosova po mposhtet 2-0 nga Çekia

- Advertisement -

Ka përfunduar pjesa e parë e takimit mes Republikës Çeke dhe Kosovës, me vendasit që kanë krijuar një epërsi të rehatshme prej dy golash pas 45 minutave të para të lojës.

“Dardanët” e nisën ndeshjen me ritëm të mirë dhe treguan iniciativë në minutat e para, duke tentuar të kontrollojnë lojën dhe të krijojnë raste para portës kundërshtare.

Megjithatë, me kalimin e kohës, intensiteti i lojës së Kosovës ra ndjeshëm, gjë që u shfrytëzua maksimalisht nga çekët.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 12-të, kur Tomas Ladra përfitoi nga një harkim i saktë i Doudera dhe realizoi me kokë, duke e dërguar Republikën Çeke në epërsi 1:0.

Pas golit të pësuar, Kosova u përpoq të reagojë dhe të rikthehet në lojë, por mungesa e konkretizimit në fazën sulmuese dhe disa gabime në organizimin defensiv i dhanë më shumë hapësira kundërshtarit.

Në minutën e 32-të, teksa “Dardanët” po kërkonin golin e barazimit, vendasit zhvilluan një kundërsulm të shpejtë dhe mjaft efektiv. Chytik gjeti me një pasim të saktë Adam Hlozekun, i cili nuk gaboi përballë portierit Aro Muric, duke dyfishuar epërsinë e Çekisë dhe duke e vështirësuar ndjeshëm misionin e Kosovës.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2:0 në favor të Republikës Çeke, ndërsa përfaqësuesja kosovare do të duhet të tregojë një fytyrë krejtësisht tjetër në 45 minutat e mbetura nëse dëshiron të shmangë humbjen.

Të ngjashme

Të fundit