Manchester United ka marrë vendim në fillim të kësaj jave për ta shkarkuar Michael Carrickun nga pozita e trajnerit, duke e zëvendësuar me Mauricio Pochettinon.
Argjentinasi ka qenë prej kohësh një nga emrat e lidhur me këtë pozitë gjatë 13 viteve të fundit, pas pensionimit të Sir Alex Fergusonit.
Manchester United është klub me traditë, ku kanë lënë gjurmë emra si Fergusoni dhe trajneri tjetër legjendar i klubit, Matt Busby.
Megjithatë, tash duket se Pochettino është gati ta ndalojë menjëherë një traditë të klubit pas mbërritjes së tij në “Old Trafford”.
Ndeshja e parë e argjentinasit në krye të “Djajve të Kuq” do të jetë kundër rivalit të përbetuar, Liverpoolit.
Kjo do të jetë një sfidë e madhe, veçanërisht pasi Pochettino do të vazhdojë angazhimin e tij me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara gjatë javës para kësaj përballjeje në Premierligë.
Derisa Manchester United po përgatitet për ardhjen e trajnerit të ri, ai tashmë ka nisur të organizojë stafin e tij teknik. Në këtë kuadër përfshihet edhe djali i tij, Sebastiano, i cili ishte trajner i përgatitjes fizike te Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë periudhës së tij në krye të Unitedit, Carrick nuk kishte një specialist të veçantë për përgatitjen fizike. Mungesa e vrapimit dhe intensitetit te “Djajtë e Kuq” u bë e dukshme gjatë 15 ndeshjeve që ai drejtoi këtë sezon.
United renditet në pozitën e 19-të për distancën totale të përshkuar në Premierligë, në vendin e 17-të për distancën e vrapimit me shpejtësi të lartë dhe në pozitën e 19-të për shpejtësinë mesatare maksimale këtë sezon.
Carrick trashëgoi trajnerin e përgatitjes fizike të Unitedit, Charlie Owen, i cili e mban këtë pozitë që nga viti 2019, kur u promovua nga brenda klubit nga Ole Gunnar Solskjaer.
Ish-ndihmësi i Erik ten Hagut, Mitchell van der Gaag, i kishte miratuar seancat stërvitore të Owenit për përgatitjen fizike, njësoj siç kishin bërë edhe futbollistët, sipas raportimit të The Sun.
Ruben Amorim kishte ndryshuar ritmin e stërvitjeve të Unitedit, duke bërë që seancat e përditshme të bëheshin më pak intensive sa më shumë që afrohej dita e ndeshjes. Kjo bëhej me qëllim që futbollistët të ishin sa më të freskët për takimet.
Trajneri portugez ishte bashkuar te United nga Paulo Berreira, trajneri i tij i përgatitjes fizike te Sporting Lisbona, ndërsa edhe Jose Mourinho dhe Louis van Gaal kishin pasur specialistët e tyre të përgatitjes fizike.
Më e rëndësishmja, futbollistët do të duhet të mësohen që të paraqiten në stërvitje të nesërmen e ndeshjeve për seancat e rikuperimit në Carrington. Besohet se Carrick u jepte lojtarëve ditën e nesërme pushim.
Pas punës së tij te Tottenham Hotspur, Pochettino ishte përmendur si kandidat për këtë pozitë kur klubi vendosi që t’ia besonte drejtimin Erik ten Hagut.
Në atë kohë, ky vendim mund të konsiderohej i kuptueshëm për shkak të punës që trajneri holandez kishte bërë me Ajaxin.
Pas kësaj, emri i Pochettinos nuk u përmend për disa vite në lidhje me këtë pozitë, por ai u konsiderua sërish kandidat pas triumfit të Manchester Unitedit në FA Cup në vitin 2024.
Në fund, shumë tifozë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre që klubi është dashur të paguajë për ta sjellë argjentinasin, ndonëse mund ta kishte angazhuar falas pas përfundimit të Kupës së Botës.
Në vend të kësaj, drejtuesit vendosën t’ia besonin skuadrën Carrickut, por tash Pochettino ka marrë drejtimin nga legjenda e klubit, pas vetëm 10 ndeshjeve në Premierligë.






