Shqipërisë u mjafton barazimi ndaj Bjellorusisë për t’u ngjitur në Ligën B

- Advertisement -

Kombëtarja e Shqipërisë zhvillon sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, teksa përballet me Bjellorusinë në kuadër të xhiros së fundit të Grupit C1.

Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Illovszky Rudolf”, në Budapest të Hungarisë, me fillim nga ora 18:00.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Rolando Maran hyn në këtë përballje si kryesuese e grupit me 12 pikë, ndërsa Bjellorusia renditet në vendin e dytë me 10 pikë. Pas tyre vijnë Finlanda me 4 pikë dhe San Marino pa pikë.

Shqipërisë i mjafton edhe një barazim për të siguruar vendin e parë dhe promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Në rast të humbjes, Bjellorusia do ta parakalonte në renditje dhe kuqezinjtë do të duhej të luanin në fazën e plejofit për të mbrojtur vendin në Ligën C.

Shqipëria vjen në këtë takim pas një fitoreje të rëndësishme 2-0 ndaj Finlandës, në ndeshjen e zhvilluar më 12 nëntor. Ky rezultat i dha kuqezinjve tri pikë të vlefshme dhe i afroi edhe më shumë me objektivin e madh.

Ndërkohë, Bjellorusia në ndeshjen e saj të fundit mposhti San Marinon me rezultatin 2-0, duke ruajtur shpresat për ta mbyllur grupin në vendin e parë.

Në prag të kësaj sfide, trajneri Rolando Maran e ka vlerësuar Bjellorusinë si kundërshtarin që e ka vënë më shumë në vështirësi Shqipërinë gjatë këtij grupi, por ka theksuar se skuadra është e përgatitur dhe e vendosur për të dhënë maksimumin.

Sa i përket mungesave, Shqipëria nuk do të ketë në dispozicion Ylber Ramadanin, i cili është i pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë. Ndërkohë, gjendja e Ernest Muçit mbetet për t’u vlerësuar deri në momentet e fundit.

Të ngjashme

Të fundit