3.4 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

Mbrojtja ligjore e Hashim Thaçit vazhdon të ketë telashe (Video)

- Advertisement -

Mospërmbushja e obligimeve financiare ndaj avokatëve ka bërë që pas një muaji, mbrojtja ligjore e Hashim Thaçit, i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale, të reduktohet në një avokat.

Ministria e Drejtësisë i ka paguar ekipit mbrojtës të Thaçit mbi 3.5 milionë euro, por kjo shumë duket e pamjaftueshme. Në një komunikatë për media ditë më parë, fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, shprehu shqetësimin rreth udhëzimit të ri administrativ të Ministrisë së Drejtësisë dhe ndërprerjen e kontratës së ekipit mbrojtës të Thaçit.

Pas një muaji, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbrohet vetëm nga një avokat.

Kjo pasi ekipi mbrojtës i Thaçit, në krye me avokatin kryesor Gregory Kehoe, ka kërkuar tërheqjen nga përfaqësimi i tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Shkak për këtë është bërë mospërmbushja e obligimeve financiare.

Ndonëse Ministria e Drejtësisë ia ka paguar ekipit mbrojtës të Thaçit mbi 3.5 milionë euro, kjo po duket e pamjaftueshme.

Lidhur me këtë, MD-ja ka thënë se kjo bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se pagesa bëhet vetëm për avokatët me të cilët ka marrëveshje.

Por kjo ministri, sipas ndryshim-plotësimit të Udhëzimit të ri Administrativ, i cili më 30 janar 2024 ka përfunduar konsultimin publik, parasheh kategorizime dhe limitet e pagesave për avokatët mbrojtës në bazë të rastit që kanë, ku vlera më e lartë arrin në 110 mijë euro për muaj.

Për këtë, avokatët e akredituar në Dhomat e Specializuara në Hagë thonë se ndryshimet në udhëzim mund të ndikojnë në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

“Mund të ndikojë sepse avokatët edhe në të kaluarën edhe tani kërkesat e tyre ka qenë shumë të mëdha për pagesat e MD-së dhe normal që do t’ua vështirësojë punën klientëve dhe avokatëve të tyre nëse nuk kanë dhe atëherë duhet të shihet një alternativë tjetër ose nga fondet e veta ose të kërkojnë edhe prej gjykate që sipas detyrës zyrtare t’ia financoi mbrojtësit e tyre”,  tha Taulant Hodaj, avokat.

Kjo nuk është hera e parë që avokatët e Thaçit tërhiqen dhe kjo sipas Hodajt, është interesante.

“Po është interesante kjo po përcillet nga avokatët e Thaçit të cilët kanë dhënë dorëheqje dhe kjo nuk është mirë për procesin”, tha Hodaj.

Ndërkohë, në një komunikatë për media ditë më parë, fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit” ka shprehur shqetësimin rreth Udhëzimit të ri Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë dhe ndërprerjen e kontratës së ekipit mbrojtës të Thaçit.

Për këtë udhëzim MD-së ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Sipas tyre, udhëzimi shkel rëndë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria në Hagë, duke ua pamundësuar mbrojtjen efektive, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut.

E nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se me këtë udhëzim synohet të përmirësohen të gjitha mangësitë e identifikuara deri më tani në kuadër të legjislacionit ekzistues.

“Në këtë Udhëzim Administrativ është bërë rishikimi i tarifave, gjë e cila është bërë në konsultim me ekspertët dhe është në interes të Republikës së Kosovës”.

Sidoqoftë, RTK ka folur edhe me disa prej familjarëve të krerëve të tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, nëse kanë probleme me pagesën e ekipeve mbrojtëse, por që nuk e kanë mohuar e as pohuar një gjë të tillë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit