Mbappe zbulon prapaskenat e transferimit te Real Madridi: Perez e mbajti kontaktin me te per 10 vjet

- Advertisement -

Kylian Mbappe ka folur hapur për historinë e gjatë që çoi deri te transferimi i tij te Real Madridi, duke zbuluar se presidenti Florentino Perez kishte mbajtur kontakte me të për rreth një dekadë para se transferimi të realizohej.

Sulmuesi francez, i cili prej vitesh ishte lidhur me një kalim në “Santiago Bernabeu”, ka vlerësuar këmbënguljen dhe besimin e presidentit madrilen.

“Perez më thoshte gjithmonë se një ditë do të luaja për Real Madridin”

Në një intervistë për “AS”, Mbappe tregoi se raporti me Perezin kishte nisur shumë kohë përpara transferimit të tij.

“Ai është personi që më solli këtu. Kemi mbajtur kontakte për dhjetë vjet para se të vija. Gjithmonë më ka treguar afeksion dhe mirëkuptim për çdo vendim që kam marrë, qoftë pozitiv apo negativ për Real Madridin”, ka deklaruar Mbappe.

“Ai më thoshte gjithmonë se një ditë do të luaja për Real Madridin. Dhe ja ku jam tani, shumë i lumtur.”

“Askush nuk duhet të të bindë për të ardhur te Real Madridi”

Pavarësisht rolit të Perezit, Mbappe theksoi se madhështia e Real Madridit ishte në vetvete arsye e mjaftueshme për të dashur këtë transferim.

“Për të qenë i sinqertë, askush nuk ka nevojë të të bindë për të ardhur te Real Madridi”, tha ai.

“Në historinë time me Madridin, unë gjithmonë kam dashur të vija, por nuk ishte e mundur. Në futboll ka momente dhe vendime që nuk varen gjithmonë nga ti. Koha është shumë e rëndësishme dhe duhet të presësh derisa gjithçka të jetë në momentin e duhur.”

Zhgenjimet nga transferimet e deshtuara

Mbappe foli edhe për zhgënjimet që përjetoi në të kaluarën, kur transferimi në Madrid nuk u realizua.

Sipas tij, megjithatë, një futbollist duhet të shikojë gjithmonë përpara.

“Natyrisht që kishte zhgënjim, por jeta e një futbollisti ka të bëjë me të ardhmen, jo me të kaluarën”, tha francezi.

Ai shtoi se askush, përfshirë edhe Florentino Perezin, nuk kishte nevojë ta bindte për t’iu bashkuar klubit.

“Askush nuk duhej të më bindte për të ardhur te Real Madridi. Ishte diçka e qartë për mua.”

“Nëse dëshiron të jesh pjesë e historisë së futbollit, duhet të luash për Real Madridin”

Mbappe e përshkroi Real Madridin si një klub që ndryshon statusin e një futbollisti.

“Nëse dëshiron të jesh pjesë e historisë së futbollit, në një moment duhet të luash për Real Madridin”, tha ai.

Që nga mbërritja në Spanjë, francezi thotë se është përshtatur me jetën në Madrid dhe me ambientin në Valdebebas.

“Prisja klubin më të mirë në botë dhe një entuziazëm të madh nga tifozët e Real Madridit kudo në botë”, tha Mbappe.

“Kur erdha këtu tashmë kisha një status, por kur bëhesh lojtar i Real Madridit kalon në një nivel tjetër, në një nivel më të lartë.”

Për Mbappen, transferimi në Madrid nuk ishte thjesht një ndryshim klubi, por realizimi i një ëndrre që kishte nisur shumë vite më parë.

Të ngjashme

Të fundit