Sulmuesi francez ka qenë në qendër të kritikave javët e fundit për mungesë angazhimi dhe sjellje jo profesionale, ndërsa situata duket se është përkeqësuar pas fitores 2-0 të “Los Blancos” ndaj Real Oviedo.
Sipas raportimeve nga media spanjolle, Mbappe u shfaq papritur në zonën mikse pas ndeshjes dhe deklaroi se Arbeloa i kishte komunikuar se ai konsiderohej vetëm zgjedhja e katërt në repartin ofensiv.
Francezi mbrojti gjithashtu vendimin për të kaluar disa ditë pushimi në Sardenjë me partneren e tij, aktoren Ester Exposito, përpara sfidës ndaj Espanyolit.
Raportohet se drejtuesit e klubit janë të shqetësuar për sjelljen e lojtarit, ndërsa presidenti Florentino Perez pritet të zhvillojë një takim me Mbappen për të diskutuar situatën.
Sipas “El Chiringuito”, sulmuesi 27-vjeçar beson se është trajtuar padrejtësisht nga Arbeloa, veçanërisht pas vendimit për ta lënë në stol në “El Clasico”, të cilin ai e konsideron mungesë respekti.
Pas këtij episodi, Mbappe thuhet se u largua nga grumbullimi i skuadrës duke u ankuar për shqetësime muskulore në kofshën e pasme.
Ai e ka krahasuar situatën e tij me atë të portierit Thibaut Courtois, i cili, pavarësisht rikuperimit nga dëmtimi, u rikthye menjëherë në formacionin titullar dhe madje kishte marrë leje për pushime gjatë periudhës së rehabilitimit.
Dyshime ndaj Viniciusit
Raportimet shkojnë edhe më tej, duke pretenduar se Mbappe dhe njerëzit pranë tij besojnë se Vinicius Junior po nxjerr informacione negative në media për të dëmtuar imazhin e francezit.
Sipas këtij versioni, braziliani po përpiqet të forcojë pozitat e tij si figura kryesore e skuadrës dhe të fitojë statusin e liderit absolut në “Santiago Bernabeu”.
Situata bëhet edhe më delikate duke marrë parasysh se Vinicius është në prag të negociatave për rinovimin e kontratës, ku raportohet se kërkon një pagë të barabartë me atë të Mbappes.
Po ashtu, Mbappe dhe disa lojtarë të tjerë të paidentifikuar të Real Madridit besohet se fajësojnë Viniciusin edhe për largimin e ish-trajnerit Xabi Alonso, duke pretenduar se braziliani ka ndikuar në prapaskenë për shkarkimin e tij.
I njëjti grup lojtarësh mendojnë se Xabi Alonso ishte një trajner më i mirë sesa Arbeloa.
Këto zhvillime kanë shtuar zërat për një përçarje të thellë brenda kampit madrilen, në një moment shumë delikat për klubin spanjoll.








