Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, priti sot në takim përfaqësuesit e UEFA-s, Petr Fousek dhe Thierry Favre, të shoqëruar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe stafi i tij.
Në fokus të takimit ishin potenciali i Kosovës për zhvillimin e talenteve të rinj, avancimi i futbollit dhe rëndësia e mbështetjes së UEFA-së përmes shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës ndërkombëtare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të futbollit të vajzave dhe grave, krijimit të më shumë mundësive për pjesëmarrjen e tyre në sport, si dhe avancimit të barazisë dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet.
Ministria e Sportit dhe Rinisë vlerëson rëndësinë e bashkëpunimit me UEFA-n dhe Federatën e Futbollit të Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të futbollit në vendin tonë.






