Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Operacionet Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përmbyllur me sukses ushtrimin fushor “VALOR SHIELD 2026”, në bashkëpunim me forcat speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe me institucionet e sigurisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka theksuar se ky ushtrim dëshmon avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve operacionale të FSK-së, rritjen e profesionalizmit dhe forcimin e ndërveprueshmërisë me partnerët strategjikë.
Ai ka bërë të ditur se përmes investimeve në trajnim, zhvillim profesional dhe bashkëpunim ndërkombëtar, po vazhdon ndërtimi i një force moderne dhe profesionale, të gatshme për përmbushjen e misionit të saj.
“Ky ushtrim dëshmon avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve operacionale të FSK-së, rritjen e profesionalizmit dhe forcimin e ndërveprueshmërisë me partnerët tanë strategjikë”, ka shkruar Maqedonci.
Në fund të postimit, ministri ka shprehur mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës./teve1.info/






