Manja: Aktgjykimi është fyes për Kosovën e Shqipërinë, Kurti e Rama duhet ta marrin përsipër apelin

- Advertisement -

Ish-ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Manja e ka cilësuar çështjen si “juridikisht” të dobët dhe ka thënë se një panel i Apelit do ta kishte të lehtë, sipas tij, të merrte vendim për pafajësi, nëse nuk do të merrte një vendim politik.

“Juridikisht është çështja më e dobët që kam lexuar. Një panel i Apelit do ta kishte të lehtë të jepte pafajësi, nëse nuk jep një vendim politik”, ka deklaruar Manja.

Ai ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që të ulen së bashku për të diskutuar hapat pas aktgjykimit.

“Kurti dhe Rama duhet të ulen, sepse aktgjykimi është fyes për Kosovën dhe Shqipërinë”, është shprehur Manja.

Sipas tij, në aktgjykim thuhet se 14 rajone të Kosovës dhe dy zona të Shqipërisë së Veriut kanë shërbyer si vende ku ka ushtruar aktivitetin kriminal “Ndërmarrja e Përbashkët”.

Manja e ka kundërshtuar këtë duke përmendur periudhën e luftës në Kosovë dhe faktin se, sipas tij, Kosova dhe Shqipëria strehuan mbi 700 mijë shqiptarë të dëbuar nga gjenocidi serb i regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Ai ka kërkuar që Kurti dhe Rama të marrin përsipër çështjen e apelit, duke angazhuar, sipas tij, avokatët më të mirë ndërkombëtarë dhe duke ndërmarrë hapa diplomatikë e politikë.

“Rama dhe Kurti duhet ta marrin përsipër apelin, të gjejnë avokatët më të mirë ndërkombëtarë dhe të fillojnë një ofensivë diplomatike dhe politike”, ka deklaruar Manja.

Manja ka theksuar se me këtë aktgjykim nuk është dënuar vetëm Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, por është fyer edhe Kosova dhe Shqipëria.

“Sepse nuk është dënuar vetëm Thaçi me shokë, por është fyer Kosova dhe Shqipëria mbarë. Është një çështje e lehtë penale, sepse nuk ka asnjë provë, por ata sot u dënuan politikisht, në emër të Serbisë dhe jo të popullit të Kosovës!”, ka deklaruar Manja.

Të ngjashme

Të fundit