“Luftë” për fronin e basketbollit: Trepça dhe Bashkimi përballë në superfinale

- Advertisement -

Atmosfera e basketbollit kosovar arrin kulmin këtë fundjavë, teksa dy rivalët më të mëdhenj të momentit, KB Trepça dhe KB Bashkimi, zbresin në parket për finalen e madhe të “Play-off”-it në ProCredit Superligë. Përballja mes kampionit në fuqi dhe nënkampionit pritet të sjellë spektakël, rivalitet të zjarrtë dhe emocione deri në sekondat e fundit.

Dy skuadrat më të mira të edicionit të rregullt do të duelojnë sërish për trofeun më të rëndësishëm të basketbollit kosovar, në një seri finale që premton të jetë edhe më dramatike se vitin e kaluar. Kujtojmë se në edicionin e kaluar, “Xehetarët” triumfuan 4:2 në seri ndaj prizrenasve, pas gjashtë ndeshjeve spektakolare.

Rivaliteti mes këtyre dy skuadrave është intensifikuar edhe më shumë këtë sezon, pasi ato u përballën edhe në dy finalet e Kupës së Kosovës, ku fitues doli skuadra mitrovicase. Kjo e bën serinë finale të kampionatit edhe më interesante dhe më të tensionuar.

“Xehëtarët” synojnë ta mbrojnë titullin dhe të vazhdojnë dominimin në basketbollin kosovar, ndërsa “Arpagjikët” ëndërrojnë ta shkruajnë historinë me titullin e dytë kampion.

Finalja e parë zhvillohet të dielën në Mitrovicë me fillim nga ora 19:30, ndërsa kampione do të shpallet skuadra që arrin katër fitore në seri.

Dy ndeshjet e para do të luhen në Mitrovicë, ndërsa më pas seria zhvendoset në Prizren për dy sfidat e radhës.

Të ngjashme

Të fundit