Llapi ka njoftuar opinionin publik dhe tifozët se Komisioni i Ankesave, shkalla e dytë ka marrë vendim për aprovimin e pjesshëm të ankesës së klubit, duke i hapur rrugë zhvillimit të ndeshjes së radhës me praninë e shikuesve.
Pas shqyrtimit të ankesës dhe analizimit të provave shtesë të paraqitura nga klubi, organi kompetent ka vendosur në favor të Llapit në këtë aspekt, duke e lejuar ekipin që të mos e zhvillojë ndeshjen pa tifozë, siç ishte vendosur fillimisht.
Nga klubi kanë shprehur falënderim ndaj Komisionit të Ankesave për, siç e kanë cilësuar, një shqyrtim të drejtë dhe profesional të rastit.
Në këtë kontekst, ndeshja e nesërme ndaj FC Prishtinës do të zhvillohet në praninë e tifozëve, çka pritet të ndikojë ndjeshëm në atmosferën në stadium për një përballje që konsiderohet mjaft e rëndësishme për të dy ekipet.
Kujtojmë që tifozët e Llapit kishin sulmuar lojtarët e Drenicës dhe autobusin e tyre, gjë që bëri që vendimi paraprak ta dënonte Llapin me një ndeshje pa tifozë.






