Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë, Krasniqi ironizon: Aty e kupton që paga e shtetit është me shumë “bereqet”.
Analisti Albert Krasniqi ka ironizuar me pasurinë që zyrtarët e lartë kanë deklaruar në formularët për deklarimin e pasurisë.
Ai ka bërë me dije se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publik po shpërfaq mjaftueshëm se çfarë sektori fitimprurës është politika.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se aty e kupton që paga e shtetit është me shumë “bereqet”.
“Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publik po shpërfaq mjaftueshëm se çfarë sektori fitimprurës është politika. Aty e kupton që paga e shtetit është me shumë “bereqet”. Me një rrogë arrin të jetosh në luks, të blesh prona dhe të kursesh pa problem. Ndërkohë, me të njëjtën rrogë në sektorë të tjerë, njerëzit mezi e mbyllin muajin. Pastaj, sapo hyn në pushtet, rritet edhe dashuria familjare. Papritmas trashëgon dy-tri prona këtu, disa asete atje – edhe kur familjarët nuk janë fort të njohur për ndonjë aktivitet ekonomik. Deklarimet na zbulojnë edhe një dimension kulturor të panjohur: prindërit tanë, në kushte të rënda jetese dhe të rritur nën okupim, paskan qenë koleksionistë të mëdhenj arti. Në mes të varfërisë, kanë arritur të lënë trashëgimi piktura me vlera milionëshe – për lakmi edhe nga baronët më të mëdhenj europian!”, ka shkruar ai.






