Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ata janë dhe do të mbeten të pafajshëm.
Lladrovci, në Debat Plus, e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe ka shprehur shpresën se ai do të rrëzohet në shkallën e apelit.
“Janë dhe mbesin përgjithmonë të pafajshëm. Sot drejtësia u bë padrejtësi. Ata luftuan për pavarësinë e lirinë e Kosovës, nuk kishte opsion”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka thënë se gjykata i ka dënuar padrejtësisht heronjtë tanë.
“Sot e pamë një gjykatë e cila padrejtësisht i dënoi heronjtë tanë dhe unë shpresoj që në apel do të rrëzohen këto”, ka thënë ai.
Lladrovci ka deklaruar se vendimi i gjykatës i është dukur sikur të ishte marrë në Serbi.
“Gjykata e mori një vendim sikur ai vendim të merrej në Serbi”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka shtuar se beson se lufta e Kosovës është bërë së bashku me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë besoj që luftën e kemi bërë bashkë me miqtë tanë, me NATO-n dhe SHBA-në, dhe në apel do të rrëzohen këto akuza të padrejta”, ka thënë ai.
Lladrovci ka deklaruar se, sipas tij, nuk ka pasur nevojë për themelimin e kësaj gjykate.
“Kjo gjykatë nuk ka pasur nevojë të bëhet”, ka theksuar Lladrovci.






