Letra e gjatë e Cristiano Ronaldos pasi vendosi të pensionohet nga Kombëtarja

- Advertisement -

Cristiano Ronaldo ka njoftuar fundin e karrierës së tij me Përfaqësuesen e Portugalisë, duke i dhënë fund një kapitulli historik që zgjati plot 23 vjet.

Ylli portugez e bëri të ditur vendimin përmes një videoje dhe një letre të gjatë drejtuar popullit portugez, në të cilën riktheu kujtimet, emocionet, sukseset dhe sakrificat e përjetuara me fanellën e kombëtares.

Ronaldo debutoi për Portugalinë në gusht të vitit 2003 dhe gjatë kësaj periudhe u bë simboli më i madh i futbollit portugez.

Ai theksoi se fanellën me numrin 7 nuk e kishte konsideruar kurrë vetëm të tijën, por një përgjegjësi që e kishte bartur me krenari për më shumë se dy dekada.

“Ka ardhur dita për t’ia kthyer fanellën me numrin 7 Përfaqësueses së të gjithëve ne. Për 23 vjet pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vesh, ta mbroj dhe ta marr me vete në stadiumet e gjithë botës. Tani ka ardhur momenti që t’ia dorëzoj të ardhmes”, ishte mesazhi i tij.

Në letrën e tij, pesë herë fituesi i Topit të Artë kujtoi se karriera me Portugalinë nuk përbëhej vetëm nga ndeshjet, golat, rekordet dhe trofetë, por mbi të gjitha nga njerëzit dhe emocionet që përjetoi së bashku me ta.

Ai pranoi se gjatë rrugëtimit kishte pasur edhe dështime, humbje dhe momente kur nuk kishte arritur t’ua realizonte pritshmëritë bashkëkombësve, por theksoi se kurrë nuk ishte dorëzuar dhe se gjithmonë kishte ndier krenari për përfaqësimin e vendit të tij.

Ronaldo falënderoi bashkëlojtarët, trajnerët, drejtuesit, mjekët, fizioterapeutët dhe të gjithë punëtorët që kishin qenë pjesë e rrugëtimit të tij.

Një falënderim të veçantë ua kushtoi familjarëve, të cilët, sipas tij, kishin ndarë me të sakrificat, mungesat dhe ëndrrën për ta përfaqësuar Portugalinë.

Ai veçoi edhe emocionin e këndimit të himnit kombëtar, duke kujtuar se në ato momente të gjithë portugezët bëheshin një, pavarësisht dallimeve, klubeve, profesioneve apo bindjeve.

“Golat kalojnë, trofetë mbeten në muze, rekordet një ditë thyhen. Por ekziston diçka që koha nuk mund ta fshijë: vendi që zëmë në zemrat e njerëzve”, ishte një tjetër prej mesazheve të tij.

Në fund, Ronaldo theksoi se largohet me kokën lart dhe me bindjen se ka dhënë gjithçka për Portugalinë.

Ai kujtoi se ëndrra e tij kishte nisur kur ishte vetëm një djalosh në Madeira, duke vrapuar pas një topi, ndërsa sot ndihet krenar që pati nderin ta përfaqësonte vendin e tij.

“Faleminderit për këta 23 vjet. Fanella me numrin 7 mbetet, ndërsa krenaria që e kam veshur do të jetë përgjithmonë e imja. Portugalia do të jetë gjithmonë brenda meje”, përfundoi Ronaldo.

Të ngjashme

Të fundit