Me rastin e gjashtë vjetorit të arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka reaguar me një Deklaratë Ramiz Lladrovci, duke theksuar se “padrejtësia, me shekuj, është ushtruar ndaj më të voglit, prandaj është obligim ta përballojmë më lehtë”.
Deklarata e Lladrovcit në rrjetin social:
Në këto gjashtë vjet, është tepër peshë e rëndë për historinë tonë të re, për drejtësinë, lirinë dhe rrugën e drejtë të luftës tonë çlirimtare. Hashimi, Kadriu, Jakupi e Rexha, për këto gjashtë vjet, i munguan Kosovës dhe kombit, i munguan familjeve të veta dhe shtetndërtimit. Të drejtat tona të natyrshme, kombëtare e njerëzore u realizuan me vështirësi, përpjekje mbinjerëzore dhe flijim. Jemi të bindur se edhe kësaj here, Kosova dhe kombi shqiptar me heronjtë tanë të luftës dhe paqes, padrejtësisht u vunë përball sulmeve të armiqve tanë shekullor, përball shpifjeve të ulëta dhe tendencave për ta ulur sakrificën e popullit tonë për lirinë dhe të drejtën për shtet demokratik. Si çdo ditë edhe në këtë përvjetor, qëndrojmë fort pranë misionit dhe vizionit të heronjve tanë të luftës dhe paqes, qëndrojmë krah përkushtimit të tyre për liri, çlirim, shtet të lirë, të drejtë dhe demokratik. Padrejtësia, me shekuj, është ushtruar ndaj më të voglit, prandaj është obligim ta përballojmë më lehtë.






