Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, thotë se priste më shumë në ceremoninë e Topit të Artë 2024, duke thënë se këto çmime ndonjëherë janë të padrejta.
Lautaro kontribuoi në fitoren 3:0 të Interit ndaj Empolit të mërkurën, duke u bërë golashënuesi i huaj më i mirë për Zikaltrit, por argjentinasi nuk ishte saktësisht në një humor festiv pas ndeshjes.
Ylli i Interit ishte i kënaqur me performancën e ekipit, por pranoi se priste më shumë se një përfundim në vendin e 7-të në Topin e Artë në fillim të kësaj jave.
“Sigurisht, është e mundur të përmirësohet. Sinqerisht, prisja më shumë, por punoj për Interin dhe kombëtaren e Argjentinës”, tha Lautaro për DAZN.
“Këto çmime ndonjëherë janë të padrejta, por jam i kënaqur me punën që po bëj. Po kthehem në formë. Siç e dini, e nisa para-sezonin më vonë pas një sezoni të gjatë. Nuk pushova shumë dhe luajta shumë, ndaj është normale të jem i lodhur. Por ne të gjithë përpiqemi të bëjmë më të mirën dhe duhet të vazhdojmë sepse sezoni është ende i gjatë.”
Zikaltrit kanë çimentuar vendin e dytë në Serie A dhe mbeten katër pikë prapa liderit Napoli.
Davide Frattesi shënoi një dygolësh në pjesën e dytë te Empoli pasi mbrojtësi i Toskanëve Saba Goglichidze u përjashtua në pjesën e parë, ndërsa Lautaro shënoi golin e tretë për Interin.
“Empoli është në formë dhe të vështirë për t’u përballur. Ata kanë fizik dhe luajnë mirë në mesfushë”, ka vazhduar sulmuesi argjentinas.
“Ne e përgatitëm ndeshjen në mënyrën më të mirë. Është më e lehtë kur je me një futbollist më shumë, por duhet të fitosh ndeshjet. Mospranimi i golave ishte i rëndësishëm. Na duheshin vërtet këto tre pikë”.
Ndeshja e radhës e Interit në Serinë A është kundër Venezias në San Siro më 3 nëntor. Kampionët në mbrojtje të Serisë A do të përballen më pas me Arsenalin në Ligën e Kampionëve dhe Napolin në Serinë A përpara pushimit ndërkombëtar muajin e ardhshëm.