Largimi i flamurit është hipokrizi sepse humanizmi nuk është transaksion!

- Advertisement -

Nga Besa Ismaili

Ne e mbështetëm luftën e Ukrainës për liri për të njëjtën arsye që qëndrojmë pranë palestinezëve dhe çdo populli që përballet me agresion, spastrim etnik, krime lufte apo gjenocid: sepse humanizmi nuk është transaksion. Nuk jemi humanistë me kontratë.

Kosova e mbështeti popullin ukrainas, mirëpriti refugjatët dhe qëndroi pranë gazetarëve ukrainas, jo sepse prisnim ndonjë shpërblim politik, por sepse kjo ishte gjëja e drejtë për t’u bërë, moralisht, njerëzisht, pse jo edhe politikisht.

Zelensky është një udhëheqës politik i përkohshëm. Ndërsa humanizmi është i përhershëm.

Prandaj, ta heqësh sot flamurin e Ukrainës për shkak të deklaratave lidhur me mosnjohjen e Kosovës nuk është as forcë, as patriotizëm. As largpamësi as interes. Është hipokrizi.

Kjo e redukton solidaritetin humanitar në një pazar politik: ne qëndrojmë me ju vetëm nëse na jepni diçka në këmbim, tani për tani. Sepse ne në marrëdhëniet ndërkombëtare me gjasë as nuk parashohim dhe as nuk planifikojmë më larg se përtej hundës.

Ne mund dhe duhet të mos pajtohemi fuqishëm me qëndrimin e Ukrainës zyrtare ndaj Kosovës, edhe pa e shndërruar solidaritetin tonë me popullin ukrainas në monedhë kusuritjeje politike, ditore.

Parimet janë parime pikërisht atëherë kur, dhe sepse ato na kushtojnë diçka.

Humanizmi nuk guxon të varet nga reciprociteti diplomatik.

 

Të ngjashme

Të fundit