Kusari për hapjen e “Radios së Policisë”: Mund të bëhet mjet propagandues

- Advertisement -

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësimin lidhur me planin e Policisë së Kosovës për hapjen e një radioje të saj, duke e cilësuar këtë iniciativë si rrezik për pavarësinë e medias dhe mundësi për propagandë shtetërore.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari ka bërë të ditur se, sipas informacioneve që posedon, Policia e Kosovës është duke bërë përgatitjet për hapjen e Radios së Policisë, ndërsa ka theksuar se Policia ia ka konfirmuar këtë pas pyetjeve që i ka dërguar.

“Jam informuar se Policia e Kosovës po planifikon hapjen e Radio Policisë. Kjo është një nga iniciativat më të mëdha propaganduese politike, me pasoja të pamatshme për indoktrinimin e publikut përmes propagandës shtetërore”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka pretenduar se, nëse kjo iniciativë realizohet, Kosova mund të bëhet shteti i vetëm në Evropë me media shtetërore, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që një medium i tillë mund të ketë në skenën informative.

“Po e ngris këtë shqetësim, me shumë kujdes, meqë nuk e kam ende pasqyrën e plotë të situatës. Shpresoj që mediat do të më ndihmojnë ta monitoroj këtë çështje”, ka shkruar ajo.

Kusari ka shpjeguar se më 10 korrik, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) e kishte vënë në konsultim publik Rregulloren për Transmetime Eksperimentale, ndërsa më 7 gusht e kishte miratuar atë.

Sipas saj, procesi i konsultimit publik nuk ishte zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme dhe komentet e palëve të interesuara ishin shpërfillur.

“Më 7 gusht, KPM-ja e miratoi rregulloren. Pa dëgjim publik, pa ndonjë diskutim më të gjerë dhe pa e informu e përgatitë industrinë për këtë ndryshim madhor që mund të ndryshoje tërësisht skenën informative”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka bërë të ditur se më 9 tetor, KPM-ja kishte publikuar agjendën e mbledhjes, ku në pikën e nëntë ishte përfshirë një kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental.

“Nga e premtja deri më sot, të paktën tri burime më kanë thënë se bëhet fjalë për një kërkesë të paraqitur nga Policia. Sot i dërgova pyetje Policisë e cila ma konfirmoi që është duke bë ‘përgatitje’ për hapjen e Radios”, ka deklaruar ajo.

Juristja e medias ka renditur disa arsye për të cilat, sipas saj, hapja e një radioje nga Policia e Kosovës paraqet shqetësim. Ajo ka vlerësuar se rregullorja për transmetime eksperimentale është e paqartë dhe mund të keqpërdoret.

“Rregullorja për Transmetime Eksperimentale është njëra prej rregulloreve më të dobëta që kam pa. Ajo nuk e ka një qëllim të qartë dhe mund të keqpërdoret lehtësisht nga kushdo që siguron licencë për transmetime eksperimentale”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka pretenduar gjithashtu se Radio Policia mund të shndërrohet në mjet propagandues të Lëvizjes Vetëvendosje, duke argumentuar se sektori i sigurisë menaxhohet nga kjo parti.

“Radio Policia do të bëhet në një mjet propagandues i Lëvizjes Vetëvendosje sepse sektori i sigurisë menaxhohet nga VV-ja. Kjo do të jetë media, kush do të jetë drejtor, kush kryeredaktor, kush përgjegjës për përmbajtjen, kush përgjigjet në gjykatë për fyerje dhe shpifje…”, ka shkruar ajo.

Kusari ka vlerësuar se Kosova nuk ka nevojë për një medium të tillë, pasi, sipas saj, komunikimi publik i Policisë mund të realizohet në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe Radio Kosovën.

“Policia nuk ka nevojë për kanal mediatik! Të gjitha shërbimet e komunikimit publik mund të realizohen në bashkëpunim me RTK-në dhe Radio Kosovën”, ka theksuar ajo.

Një tjetër shqetësim që ka ngritur Kusari lidhet me koston financiare të projektit. Sipas një analize që ajo thotë se e ka bërë me ndihmën e disa njohësve të fushës, Radio Policia mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth gjysmë milioni euro.

Ajo ka argumentuar gjithashtu se hapja e mediave shtetërore bie ndesh me parimet e Këshillit të Evropës dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përmendur Rezolutën 428 (1970) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Rekomandimin R(96) 10 të Komitetit të Ministrave.

Kusari u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve që ta hulumtojnë këtë çështje dhe të kërkojnë sqarime nga KPM-ja dhe Policia e Kosovës.

“Nëse kërkesa e Policisë është kjo që është në agjendë, atëherë për këtë vendoset nesër në ora 10.00 në mbledhjen e KPM-së”, ka shkruar Kusari.

Të ngjashme

Të fundit