Kurti e Rama me agjenda të ndara në Ditën e Alfabetit, të dy ishin në Manastir, por nuk u takuan

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, kanë zhvilluar agjenda të ndara në Manastir, në 118-vjetorin e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Pavarësisht se të dy ndodheshin në qytetin historik të Maqedonisë së Veriut për shënimin e 22 Nëntorit, ata nuk zhvilluan takim mes vete dhe as nuk u panë bashkë në aktivitetet e organizuara.

Rama vizitoi Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip, ku mbajti një fjalim për rëndësinë e gjuhës shqipe. Ai propozoi gjithashtu krijimin e një biblioteke digjitale me libra në shqip, në shërbim të fëmijëve dhe mësuesve shqiptarë kudo në botë.

Gjatë qëndrimit në Manastir, Rama u takua me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.

Ndërkaq, Kurti zhvilloi takim me Mexhitin dhe Kasamin, me të cilët diskutoi për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimin e shqiptarëve dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Në mbrëmje, Kurti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare, ku mbajti edhe një fjalim. Rama nuk ishte i pranishëm në këtë aktivitet, ndërsa në emër të tij foli ministri i Kulturës i Shqipërisë, Blendi Gonxhja.

Kështu, edhe përvjetori i një ngjarjeje që bashkoi shqiptarët përmes alfabetit të përbashkët u shënua me agjenda të ndara të dy kryeministrave.

Nuk është bërë e ditur se kush e shmangu takimin, por mungesa e një kontakti mes tyre vjen në kohën kur marrëdhëniet politike mes Kurtit dhe Ramës vazhdojnë të jenë të ftohta.

Të ngjashme

Të fundit