Profesori amerikan, Edward Joseph, përmes një sqarimi, ka demantuar një deklaratë që po qarkullon nëpër rrjete sociale e ku pretendohet se ai ka folur për zhbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi i Kosovës.
Deklarata që i atribuohet profesorit amerikan është e rrejshme dhe vetë Josepj konfirmon se asnjëherë s’ka deklaruar diçka të tillë.
“Më është thënë se mediat në Kosovë po raportojnë se unë kam deklaruar se Kosova mund ta shfuqizojë legjislacionin mbi të cilin mbështetet Gjykata Speciale, pa pasur nevojë për mbështetjen e dy të tretave të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë; dhe se Kuvendi i Kosovës, në thelb, e ka zënë në kurth Gjykatën Speciale, duke alarmuar Bashkimin Evropian. Siç e dini, unë nuk kam thënë kurrë asgjë të tillë!”, ka thënë Joseph në një deklaratë për Express.
Deklarata që rrejshëm i mvishet profesorit amerikan Edward Joseph:
Nëse Gjykata Kushtetuese e Gjykatës Speciale e rrëzon Ligjin për Gjykatën Speciale, e që e rrëzon 100%, Kosovës i hapet mundësia që ta zhbejë ligjin e vitit 2014, me të cilin është vendosur baza për krijimin e Gjykatës Speciale. Këtu nuk kërkohen 2/3 e serbëve. Prandaj është alarmuar BE-ja. Kuvendi i Kosovës ka vepruar me mencuri dhe e ka nxjerrë në kurth Gjykatën Speciale!”






