Gjykata cakton masën e sigurisë ndaj të dyshuarit për rastin e rëndë në Livoç të Gjilanit

- Advertisement -

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj V. R., i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe për plagosjen e dy personave të tjerë në fshatin Livoç i Ultë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 9 tetor 2026, rreth orës 14:21. I dyshuari, pas një mosmarrëveshjeje për motive ende të panjohura, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri ndaj bashkëshortes së tij, e cila ndodhej në ulësen e pasagjerit, duke e privuar nga jeta.

Më pas, ai dyshohet se ka ndaluar pranë veturës ku ndodheshin vëllai i bashkëshortes dhe dy persona të tjerë, ndaj të cilëve ka shtënë me armë. Si pasojë, vëllai i bashkëshortes ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, një person është plagosur rëndë, ndërsa tjetri ka arritur të largohet. Pas ngjarjes, i dyshuari e ka dërguar bashkëshorten në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, para emergjencës, dhe më pas është dorëzuar në Polici.

Gjykata ka bërë të ditur se i dyshuari ngarkohet me veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të ngjashme

Të fundit