Policia konfirmon: Po planifikohet hapja e “Radio Policisë”

- Advertisement -

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke planifikuar hapjen e një radioje, në një përgjigje me shkrim për “Klan Kosova”.

Në përgjigjen e saj, Policia ka bërë të ditur se gjatë procesit janë konsultuar modele të ndryshme, përfshirë edhe atë të “Radio KFOR”-it.

Përmes hapjes së kësaj radioje, Policia synon të promovojë punën e saj dhe të jetë më afër qytetarëve, duke adresuar shqetësimet dhe çështjet e sigurisë në komunitet.

“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Policia e Kosovës vite më parë ka filluar analizimin përmes grupit punues për radio të Policisë së Kosovës. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka konsultuar edhe partnerë ndërkombëtarë e vendorë, përfshirë edhe modelin e radios KFOR, që funksionon që nga paslufta në Kosovë, si dhe ka zhvilluar takime me disa radio të ndryshme në Kosovë për procedurat e funksionimit dhe punës së tyre në transmetimin e lajmeve dhe informacioneve.

Andaj, sipas planifikimeve dhe procedurave të parapara, Policia e Kosovës ka bërë analizën për radion e saj, me qëllim të promovimit të punës së policisë në komunitet dhe që Policia të jetë sa më afër qytetarëve për të adresuar shqetësimet dhe çështjet e sigurisë në bashkësi.

Policia e Kosovës është ndër institucionet më të besuara dhe transparente në vend, andaj ka për qëllim që ta mirëmbajë dhe avancojë besimin dhe transparencën e saj”, thuhet në përgjigjen për “Klan Kosova”.

Të ngjashme

Të fundit