Kurti: Zgjedhja e Presidentit e tejkalon një parti politike

- Advertisement -

Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, ka thënë se zgjedhja e Presidentit e tejkalon një parti politike, duke u përpjekur që ta shpërndajë këtë përgjegjësi edhe tek subjektet e tjera politike, ndonëse drejton partinë më të madhe në vend.

Kurti, derisa përmendi faktin se për zgjedhjen e Presidentit duhet të marrin pjesë 80 deputetë në votim në të tri raundet, theksoi se secila parti politike ka përgjegjësi për formimin e institucioneve të reja në bazë të besimit që populli i ka dhënë.

“Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes. Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit para se të kalojmë te zgjedhja e Qeverisë së re dhe më pas edhe e Presidentit ose Presidentes së Republikës”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të premten.

“Përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit e tejkalon një parti politike”, shtoi ai, teksa përmendi takimet që ka zhvilluar më 10 korrik me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të cilët kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.

Ftesë për takim kishte pasur edhe Aleanca e Ardian Gjinit, por që e njëjta e refuzoi. Në këtë drejtim, Kurti shprehu sërish “keqardhje” për refuzimin e kësaj partie.

Për shkak të dështimit të zgjedhjes së Presidentit, Kosova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare më 7 qershor.

Në këto zgjedhje, Vetëvendosje mori 53 deputetë, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7.

Bashkë me votat e komuniteteve joshumicë joserbe. VV-ja e Kurtit mund ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë, pasi që nevojitet shumicë e thjeshtë, vetëm 61 deputetë.

Por, për zgjedhjen e Presidentit duhet marrëveshje me partitë e tjera, pasi që duhen 80 deputetë. Deri më tani, marrëveshje me partitë e tjera nuk është arritur.

 

Të ngjashme

Të fundit