Kurti u kërkon senatorëve amerikanë Shaheen e Durbin mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të hënën në Prishtinë me senatoren amerikane Jeanne Shaheen dhe senatorin Dick Durbin, në kuadër të vizitës së tyre në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se nga senatorët amerikanë ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e Kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake.

Kurti ka theksuar se, ndonëse paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, shqetësim mbeten veprimet dhe deklaratat e Serbisë, të cilat ai i ka cilësuar si kërcënuese.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe raportet mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit.

Sipas Kurtit, takimi me dy senatorët amerikanë u përqendrua edhe në reformat në arsim dhe në drejtësi, procesin e vettingut, si dhe krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kreu i Qeverisë ka folur gjithashtu për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke theksuar se eksporti i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është pesëfishuar gjatë pesë vjetëve të fundit dhe se ky sektor aktualisht përbën 6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).

Kurti ka deklaruar se ekonomia e Kosovës vazhdon të rritet me mbi 4 për qind, ndërsa ka përmendur edhe investimet e planifikuara në hekurudha, diga, industrinë e mbrojtjes dhe stadiumet sportive, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Në postimin e tij, Kurti ka rikujtuar edhe takimin e mëparshëm me senatorët në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në fillim të këtij viti, duke vlerësuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kosovën dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme

Të fundit