Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka bërë të ditur se u ka shkruar krerëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me kërkesën që të takohen dhe të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit, raporton EO.
“Dhe me këtë ide, unë mbrëmë ju kam shkruar të tre kryetarëve të partive. I kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, edhe kryetarit të AAK-së, Ardian Gjini, edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që sa më parë të takohemi dhe të merremi vesh për presidentin”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka kërkuar që diskutimet të kalojnë nga karakteristikat e presidentit te emrat konkretë.
“Na duhet që të takohemi, një mend të flasim për karakteristikat e figurës presidenciale, por përbesë duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë. Më shumë do të humbim kohë nëse shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Kurti.
“Pra, le të mos humbim kohë duke shkuar në zgjedhje, por edhe le të mos humbim kohë pa përmendur emra konkretë. Sepse të gjitha përfaqësimet e tjera politike janë ekipe, janë më të gjëra dhe i karakterizon funksioni e detyra e kështu me radhë. Por te çështja e presidentit e ke një individ me… mund të ketë disa ministra, mund të ketë shumë deputetë, por president është një. Andaj na duhet të kalojmë te emrat e përveçëm. Na duhet të kalojmë te emrat konkretë”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se në Kosovë ka shumë figura që, sipas tij, mund të jenë presidente ose president.
“Do të flasim. Unë mendoj që ka me dhjetëra të tillë në shoqërinë tonë, në universitetet tona, në akademinë tonë, në jetën politike, ata që kanë kontribuuar në rezistencë paqësore, ata që kanë kontribuuar në luftë çlirimtare, ata që kanë kontribuuar në shtetndërtim demokratik. Kemi me dhjetëra figura që mund të jenë president”, është shprehur Kurti.
Ai ka refuzuar të përmendë emra konkretë, duke thënë se një gjë e tillë do t’i jepte vulën e tij kandidatit.
“Tash, më kurseni që unë t’ju them juve emrat, sepse siç e dini, emrin që e përmendi unë, po i vë vulën time. Ndërkohë që ato personalitete janë të shquara në shoqërinë tonë, në popullin tonë, dhe unë kërkoj që sa më parë të ulemi me Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun edhe Ardian Gjinin”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur edhe për ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo është e interesuar që kjo çështje të zgjidhet dhe që posti i presidentit t’i besohet një figure unifikuese.
“E kemi edhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është shumë e angazhuar dhe e interesuar që kjo të marrë fund. Albulena nuk është një person i cili është duke u kënaqur në pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes, ajo është shumë e interesuar që këtë ta marrë një figurë unifikuese, për të cilën merremi vesh të gjithë ne bashkë”, ka përfunduar Kurti






