Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Medresetë te shqiptarët – histori – trashëgimi – kontribut”, organizuar nga Instituti për Studime dhe Hulumtime Islame, i cili vepron në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Fillimisht kryeministri Kurti të pranishmëve u shprehu ngushëllime për shkuarjen në amshim të Bahri Efendi Simnicës, profesor i Medresesë së Mesme “Alaudin”, në Prishtinë, ish-drejtor aty dhe njëkohësisht ish kryeredaktor i revistës “Dituria Islame”.
Kryeministri tha se aftësitë dhe mundësitë për të prodhuar dhe organizuar dije, nga kërkimi dhe studimi, te diskutimi si dhe nga reflektimi dhe teorizimi deri te shkrimi, janë përcaktuese për jetëgjatësinë e një shoqërie dhe përparimin e saj në histori.
Duke folur rreth historikut të mejtepeve dhe medreseve te shqiptarët gjatë shek. XX, kryeministri tha se ‘për fatin e mirë të ne shqiptarëve, dekada të tëra përpjekje, sakrifice, rezistence dhe lufte, u shpërblyen në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me rënien e regjimit komunist në Shqipëri dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore, pasuar nga jetësimi i shtetit të Kosovës. Kështu sot, medresetë në Kosovë dhe në Shqipëri funksionojnë lirshëm, si shkolla fetare por edhe si institucione edukative dhe shkencore të sistemeve tona arsimore’.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myfti Naim Tërnava,
I nderuari kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu,
I nderuari Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu,
I nderuari drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri Bajgora,
Të nderuar profesorë e akademikë,
Të nderuar studiues dhe studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Më lejoni që fillimisht t’ju shpreh ngushëllimet me rastin e shkuarjes në amshim të Bahri Efendi Simnicës, profesor i Medresesë së Mesme “Alaudin”, në Prishtinë, ish-drejtor aty dhe njëkohësisht ish kryeredaktor i revistës “Dituria Islame”, të gjithë e takofshi inshallah në xhenet.
Aftësitë dhe mundësitë për të prodhuar dhe organizuar dije, nga kërkimi dhe studimi, te diskutimi si dhe nga reflektimi dhe teorizimi deri te shkrimi, janë përcaktuese për jetëgjatësinë e një shoqërie dhe përparimin e saj në histori.
Një nga sfidat e secilit popull në secilin qytetërim e në çdo epokë, ka qenë dhe mbetet krijimi i urave ndërlidhëse për bartjen e dijeve nga një brez te tjetri. Historia e njerëzimit njeh shumë periudha lindjesh e rilindjesh kulturore, por për ne, që nga epoka e Iluminizmit kur u hodhën bazat dhe parimet e shkencës moderne, qytetërimet janë zhvilluar në epokën e shkencërimit të pambarimt të dijes.
Unë po vij këtu tek ju, pasi sot në mëngjes mbajtëm mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku ndër të tjerat, miratuam edhe vendimin me të cilin i propozuam Kuvendit të Kosovës, Këshillin Kombëtar të Shkencës, si një nga hallkat institucionale të shtetit tonë për të mbështetur shkencën dhe shkencëtarët.
Në këtë pikë, më vjen shumë mirë që shoh pikërisht sot, kryeqyteti ynë Prishtina, do të ketë këtë forum për shumë studiues nga të gjitha trevat shqiptare dhe të tjerë studiues ndërkombëtarë prej vendeve të ndryshme, në konferencën shkencore për medresetë te shqiptarët.
Religjionet, bashkë me artet, paraqesin dy kulturat më universale të njerëzimit. Nevoja e njeriut për të besuar në entitete metafizike dhe ritualizimet e atyre besimeve në praktika transcedentale, duket që janë të ndërlidhura ngushtë me vetë esencën dhe ekzistencën e qenies njerëzore.
Gjatë pjesës më të madhe të shek. XX, mejtepet dhe medresetë te shqiptarët, janë parë më shumë si antishkolla se sa si shkolla. Kjo pasi që në Shqipëri, nën regjimin e egër komunist ku fetë u ndaluan me ligj në vitin 1967 dhe shkollat fetare në përgjithësi u mbyllën, kurse shumë nga trashëgimia e tyre librore u shkatërrua, e ato u dënuan si çerdhe të indoktrinimit të huaj me ide prapanike, siç thuhej asokohe.
Ndërkaq, në anën tjetër, për shqiptarët e mbetur nën Jugosllavi, në Republika të ndryshme, pra për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi, të cilëve në panumër mënyra u ndalohej, u kufizohej ose u mohohej e drejta e shkollimit në gjuhën e tyre amtare, kishte jo pak raste kur medresetë u instrumentalizuan politikisht nga regjimet jugosllave si shkolla alternative.
E tëra kjo, në kuadër të politikave raciste, shpopulluese dhe asimiluese serbe, që përmes theksimit formal të elementeve identitare islamike dhe veçanërisht atyre me origjinë turke, të shtrohej rruga e stigmatizimit të shqiptarëve kinse si pakicë kombëtare, si një mbetje e demografisë myslimane nga periudha osmane, ashtu që të justifikohej dëbimi masiv i shqiptarëve drejt Turqisë. Një metodë kjo shumë perfide e spastrimit etnik të Kosovës dhe të trevave tjera nga shqiptarët autokton.
Por për fatin e mirë të ne shqiptarëve, dekada të tëra përpjekje, sakrifice, rezistence dhe lufte, u shpërblyen në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me rënien e regjimit komunist në Shqipëri dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore, pasuar nga jetësimi i shtetit të Kosovës. Kështu sot, medresetë në Kosovë dhe në Shqipëri funksionojnë lirshëm, si shkolla fetare por edhe si institucione edukative dhe shkencore të sistemeve tona arsimore.
Përveç kësaj, historia, trashëgimia dhe kontributet e medreseve te shqiptarët, mund të studiohen dhe gjithashtu të njihen lirshëm nga shkencëtarët si ju dhe nga çdo i interesuar në këtë temë.
Andaj, duke i paraqitur studimet tuaja për historinë dhe trashëgiminë e medreseve te shqiptarët, ju sot po e restauroni dhe po e rikuperoni një kulturë dhe një traditë të veçantë të shkollave fetare, duke i shkencëruar ato dhe duke ua dhënë vendin e merituar në historinë tonë.
Kjo pasi që siç dihet, që nga shekujt XIV dhe XV kur osmanët erdhën në trevat shqiptare dhe u zgjeruan në territore të tjera të kësaj pjese të Evropës, shqiptarët u bënë një nga popujt që deri në fillim të shek. XX, jetuan në universin perandorak Osman bashkë me mbi 40 popuj të komuniteteve tjera.
Gjatë asaj periudhe të gjatë, shqiptarët dhe të tjerët kaluan nëpër procese komplekse mes shumë traditash e kulturash, e u mor edhe feja islame prej shumicës së popullsisë. Si rezultat i kësaj, ndër shqiptarë u themeluan dhe funksionuan shumë medrese, nga ajo e Is’hak Beut në Shkup dhe e Gazi Ali Begut në Vushtrri, deri te medreseja e Haxhi Sinanit në Berat dhe ajo e Sulltan Selimit në Prishtinë.
Gjatë shekujve osmanë por edhe më pas, medresetë kanë qenë shkolla ku kanë mësuar dhe kanë shkruar shkollarë të shquar shqiptarë, veprat e shkruara të të cilëve, i mbushin edhe sot koleksionet me dorëshkrime dhe libra të bibliotekave dhe të arkivave tona. Emra të përveçëm që u njohën nga Shkupi e Shkodra deri te Stambolli, si fjala vjen: Haxhi Iljaz Efendi Prishtina, Hysen Nexhmedin Efendi Prizreni, Bajram Efendi Peja, Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Adem Nuri Efendi Gjakova, Hafiz Aliriza Efendi Ulqinaku dhe shumë të tjerë. Përtej kontributit të tyre në shkencat islame, në dijet laike shkencore dhe në kultivimin e besimit fetar, këta shkollarë dhe prijës fetarë si dhe medresetë, kanë dhënë kontribute të çmuara edhe në Lëvizjen Kombëtare të Rilindjes me mësimet për ta dashur atdheun dhe për të luftuar për lirinë e tij deri në vdekje, apo vatan e iman shkojnë bashkë siç thuhej. E këtë e kemi dëshmi më të mirë edhe 38 hoxhallarë, imam, që me pushkë në dorë si luftëtarë të UÇK-së u bënë dëshmorë të kombit në luftën e fundit.
E rrugës teksa po vija këtu, duke e shfletuar programin e kësaj konference, e pashë se gjithsej ishin 57 kumtesa për prezantim. Shpresoj që institucionet dhe të gjithë ata të cilët e kanë organizuar këtë konferencë, do të kujdesen edhe për botimin e tyre, ashtu që rezultatet e punimeve shkencore, të jenë të qasshme edhe përtej dy ditëve të kësaj konference dhe përtej kohës sonë.
Duke ju uruar për punimet tuaja dhe për këtë konferencë shkencore, ju kërkoj falje nëse fjala ime ka zgjat më shumë se sa ata 10 minutat akademikë që disi kurrsesi s’na mjaftojnë.






