Mungesa e uniformave dhe pajisjeve në Policinë e Kosovës nuk e ka penguar kryeministrin Albin Kurti të flasë për rritjen e buxhetit të këtij institucioni.
I pyetur për raportimet se zyrtarët policorë po përballen me mungesë të uniformave dhe pajisjeve, madje se kjo situatë ka ndikuar edhe në shtyrjen e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve, Kurti nuk ka dhënë ndonjë sqarim konkret.
Ai është distancuar nga përgjegjësia për furnizimin, duke ia lënë këtë çështje Ministrisë së Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Xhelal Sveçla.
Në vend të një përgjigjeje për gjendjen e raportuar në Polici, Kurti ka zgjedhur të flasë për rritjen e buxhetit dhe atë që e ka cilësuar si kujdes të paprecedentë të Qeverisë ndaj institucioneve të sigurisë.
“Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua japë përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, ka deklaruar Kurti.






