Nura për Ligjin e ri të Speciales: Janë ndryshuar dy pika, në thelb mbetet i njëjti

- Advertisement -

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se ndryshimet në ligjin e ri për Specialen nuk e prekin thelbin e ligjit të kaluar që u kundërshtua nga Bashkimi Evropian.

Nura ka thënë se ndryshime ka pasur në dy pika të ligjit, por nuk ka treguar saktësisht për cilat ndryshime bëhet fjalë.

Ai në emisionin “Ditari” ka thënë se në këto ndryshime është krijuar një unitet me kritikuesit e ligjit.

“Në dy pika të atij ligji është ndërhyrë ku mendoj se është kriju një unitet një bashkërendim, bashkë me ata që kanë kërkuar, të bashkëpunojmë me strukturat e BE-së, që ligji jonë të mos bie ndesh me ato rregullat. Në thelb ligji e ka të njëjtin kuptim, në dy pika është ndërhy dhe besoj se edhe ato nuk e ndryshojnë në thelb atë orientimin, ose qëllimin se për çfarë është formulu”, ka thënë Nura.

Nura ka thënë se ka pas edhe konsultime me BE-në duke shpresuar që ligji i ri të arrijë qëllimin.

“Na kanë akuzuar që s’jemi konsultuar fare me ta, na u ka deshtë një formë e konsultimit që mos të prek intersin e Kosovë në të ardhmen. Uroj që ligji i ardhshëm ta ketë ndikimin për çfarë e kemi përpiluar”, ka thënë ai.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se është finalizuar drafti i ri i ligjit. Ajo ka thënë se këtë draft e ka pranuar dy ditë më parë.

Votimi pritet të bëhet në dy lexime gjatë dhjetorit.

Të ngjashme

Të fundit