Takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hyrë në orën e tretë, teksa dy palët po vazhdojnë diskutimet në Kuvendin e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.
Në takim marrin pjesë edhe ministri në detyrë i Financave dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ndërsa Abdixhiku shoqërohet nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Takimi nisi rreth tri orë më parë dhe deri tani nuk ka pasur deklarata të reja nga përfaqësuesit e dy subjekteve politike.
Para hyrjes në takim, Kurti deklaroi se Vetëvendosja ka mbështetjen e nevojshme për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë, por theksoi se për zgjedhjen e presidentit përgjegjësi kanë edhe partitë opozitare.
“Ne e kemi të mjaftueshme mbështetjen për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë, por për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita”, tha Kurti.
Ndërkohë, Abdixhiku kishte paralajmëruar se do të deklarohej për media pas përfundimit të takimit.
Abdixhiku kishte rifilluar dialogun politik me Kurtin pas Kuvendit të LDK-së, ku i mbijetoi një kërkese për shkarkim nga pozita e kryetarit të partisë.






