Shkruan: Ardian Bajraktari
Bëhet fjalë për katër javë – një mundësi e mirë për reflektim!
Meqë Presidentja e Republikës e ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke vepruar në përputhje me autorizimet kushtetuese, procedura e mëtejshme zhvillohet sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit ia dërgon menjëherë ligjin për shqyrtim komisionit përgjegjës-raportues, si dhe deputetëve të Kuvendit.
Komisioni përgjegjës-raportues, në këtë rast Komisioni për Legjislacion, e përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të ligjit.
Rrjedhimisht, hapi i radhës është shqyrtimi i ligjit nga komisioni përkatës dhe përgatitja e raportit për seancën plenare, në të cilën Kuvendi do të vendosë lidhur me ligjin e kthyer për rishqyrtim.
Kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për një shqyrtim serioz, profesional dhe kushtetues të ligjit, me qëllim të adresimit të vërejtjeve dhe eliminimit të elementeve problematike, para se ai të rikthehet në seancë plenare.
Ligjbërja, aq më tepër kur bëhet fjalë për procese të tilla me rëndësi të veçantë shtetërore, kërkon qasje gjithëpërfshirëse, profesionale dhe të mirëkoordinuar.
Po ashtu duhet filluar pa vonesë konsultimet me aleatët, veçmas BE-në, me qellim të përmbushjes së zotimeve ndërkombëtare.






