Presidenti Donald Trump u evakuua me shpejtwsi nga një darkë gala me median, pas të shtënave me armë në hotelin Washington Hilton, që detyruan anëtarët e kabinetit të strehoheshin nën tavolina duke e kthyer sallë e madhe në një skenë krimi.
Autoritetet federale dhe ato lokale thanë se një person është arrestuar menjëherë. Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të shtunën mbrëma, Trump deklaroi se kishte folur me një oficer të Shërbimit Sekret që u qëllua dhe u godit në jelekun antiplumb në vendngjarje, dhe se ai tani “është shumë mirë”.
“Është gjithmonë tronditëse kur ndodh diçka e tillë,” tha Trump, duke vlerësuar reagimin e shpejtë të forcave të rendit.

Presidenti premtoi se do ta riplanifikonte së shpejti darkën, duke reflektuar qetësi dhe duke u thënë gazetarëve se politika është një profesion i rrezikshëm. “Është pjesë e lojës,” u shpreh Trump. “Nuk dua t’i lejojmë këta njerëz të sëmurë, këta kriminelë, këta njerëz të tmerrshëm të ndryshojnë mënyrën tonë të jetesës,” tha ai.
Presidenti i SHBA tha se në fillim mendoi se zhurma mund të ishte nga një tabaka që kishte rënë, por shpejt u bë e qartë se bëhej fjalë për një situatë shumë më të rrezikshme.
Amalia Cepero, një bariste në aktivitet, tha për mediat se autori i dyshuar “u afrua qetësisht”, hodhi xhaketën dhe më pas hapi zjarr. “Pasi qëlloi, dukej sikur u hodh drejt detektorëve të metalit,” tha ajo.
Brenda sallës, zhurma e papritur detyroi të pranishmit të hidhnin veten në tokë. “Të gjithë filluan të përkuleshin,” tha komisioneri i FDA-së, Marty Makary.
Në një konferencë të veçantë, Jeanine Pirro, prokurore federale për Distriktin e Kolumbias, tha se i dyshuari do të akuzohet për sulm me armë ndaj një oficeri federal dhe për përdorim arme zjarri gjatë një krimi të dhunshëm. Pirro shtoi se personi do të paraqitet në gjykatë të hënën dhe nuk përjashtoi mundësinë e akuzave për terrorizëm, ndërsa hetimet vijojnë.
“Ky individ kishte për qëllim të shkaktonte sa më shumë dëme dhe shkatërrim që të ishte e mundur,” tha Pirro.
Detajet mbi të shtënat dhe autorin e dyshuar dolën në mënyrë të fragmentuar gjatë mbrëmjes, ndërsa presidenti dhe zyrtarë të ndryshëm të rendit informonin publikun me radhë. Jeffery Carroll, shefi i përkohshëm i policisë së Uashingtonit, tha se i dyshuari i arrestuar kishte “një automatik, një pistoletë dhe disa thika” dhe kishte “sulmuar pikën e kontrollit me një armë në dorë”.
Carroll e përshkroi të dyshuarin si një “autor të vetëm”, pa bashkëpunëtorë të dukshëm. Ai shtoi se ky person “nuk u godit nga plumbat” gjatë incidentit dhe nuk pranoi të publikonte menjëherë identitetin e tij, megjithëse Trump postoi dy foto të tij në rrjetet sociale.
Çfarë dihet për personin që qëlloi me armë

Burri, i identifikuar nga mediat amerikane si 31-vjeçari Cole Tomas Allen, u arrestua në vendngjarje. Konfirmimi zyrtar ende nuk është bërë publik.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit, të cilët nuk kanë publikuar ende emrin e të dyshuarit, thanë se ai banon në Torrance, Kaliforni, një qytet bregdetar në rajonin South Bay pranë Los Anxhelosit, përgjatë gjirit Santa Monica.
Shefi i policisë së Uashingtonit tha se hetuesit besojnë se i dyshuari ishte duke qëndruar si klient në Washington Hilton, ku po zhvillohej darka vjetore, megjithëse ende nuk është përcaktuar motivi.
Postime në Facebook, që duket se lidhen me Allen, tregojnë se ai ishte vlerësuar si “Mësuesi i Muajit” në dhjetor 2024 nga dega në Torrance e kompanisë C2 Education, një kompani kombëtare private që ofron kurse përgatitore dhe tutorim për studentët që synojnë universitetin. 
Një profil në LinkedIn me emrin e të dyshuarit e përshkruan atë si “inxhinier mekanik dhe shkencëtar kompjuterik sipas diplomimit, zhvillues i pavarur lojërash sipas përvojës, mësues nga natyra”.
Sipas të dhënave federale për financimin e fushatave, Allen kishte kontribuar me 25 dollarë për një komitet politik të Partisë Demokratike në mbështetje të Kamala Harris për presidente në vitin 2024.
Ndërkohë, duke folur për gazetarët, Donald Trump tha se është pak e mundshme që të shtënat të kenë lidhje me luftën SHBA–Izrael kundër Iranit. “Kjo nuk do të më pengojë të fitoj luftën në Iran. Nuk e di nëse ka pasur lidhje me këtë, sinqerisht nuk besoj, bazuar në atë që dimë,” u tha Trump gazetarëve.

Të pranishëm në darkë ishin jo vetëm presidenti dhe nënpresidenti JD Vance, por edhe një numër i madh zyrtarësh të lartë në hierarkinë e pushtetit, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Sekretarin e Thesarit Scott Bessent, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretarin e Energjisë Chris Wright dhe Robert F. Kennedy Jr.
Reagimet e menjëhershme nga Europa
Liderët evropianë reaguan me shpejtësi, duke dënuar dhunën politike. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u shpreh se ishte “e lehtësuar” që Trump dhe të pranishmit ishin të sigurt, duke shtuar: “Dhuna nuk ka vend në politikë, kurrë.”
Presidenti i Këshillit Evropian António Costa i cilësoi skenat “thellësisht shqetësuese”, ndërsa përgëzoi reagimin e shpejtë të forcave të rendit.
Shefja e diplomacisë së BE-së Kaja Kallas theksoi se “dhuna politike nuk ka vend në një demokraci” dhe se një event që synon të festojë lirinë e shtypit “nuk duhet kurrë të kthehet në një skenë frike”.
Kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh i “tronditur”, ndërsa kryeministri spanjoll Pedro Sánchez deklaroi: “Dhuna nuk është kurrë zgjidhja.”
Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti sulmin ndaj presidentit amerikan “të papranueshëm”, ndërsa kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu “solidaritet të plotë”.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán u shpreh “i shqetësuar” nga lajmi i sulmit.






