Ministria e Financave e Republikës së Kosovës ka organizuar konferencën rajonale “Beyond Compliance: Building Resilient Economies Through Financial Integrity” (Përtej pajtueshmërisë: Ndërtimi i ekonomive reziliente përmes integritetit financiar), në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky aktivitet shënon herën e parë që Qeveria e Kosovës organizon një ngjarje në kuadër të këtij procesi, si dhe aktivitetin e dytë të Procesit të Berlinit që mbahet në Prishtinë gjatë këtij viti.
Në hapje të konferencës, fjalë rasti mbajtën ministri i Financave, Hekuran Murati, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, që përfaqëson shtetin që kryeson Procesin e Berlinit këtë vit, si dhe zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, që përfaqëson shtetin iniciues të këtij procesi.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe rajonale, organizatave ndërkombëtare, ekspertë dhe profesionistë të fushës për të diskutuar mbi parandalimin dhe luftimin e financave të paligjshme, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar, si dhe rëndësinë e hetimeve financiare dhe rikuperimit të aseteve të përfituara nga aktivitetet e paligjshme.
Gjatë diskutimeve u theksua se përmbushja formale e standardeve dhe kërkesave ligjore duhet të shoqërohet me zbatim efektiv në praktikë, koordinim institucional dhe shkëmbim të informacionit. Meqenëse financat e paligjshme kalojnë kufijtë shtetërorë, luftimi i tyre kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet vendeve të rajonit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Konferenca shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, me synim avancimin e integritetit financiar, forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit në institucione, si dhe ndërtimin e ekonomive më transparente, të qëndrueshme dhe reziliente.






