Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje në Prishtinë ndaj Ishujve Faroe me rezultat 23:25, në kuadër të fazës kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2026”.
Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës ishte jetike për gjasat e Kosovës për kualifikim, por humbja i ka ulur dukshëm mundësitë për të vazhduar garën drejt Evropianit.
Kosova e ka nisur ndeshjen më mirë, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi 13:12.
Megjithatë, në pjesën e dytë, Kosova ka pasur rënie, duke shënuar vetëm 10 gola kundrejt 13 të skuadrës mysafire. Ishujt Faroe përfituan nga gabimet e Kosovës dhe përmbysën rezultatin, duke e fituar ndeshjen me dy gola epërsi.
Kjo humbje ka pasoja të mëdha në renditjen e Grupit 6. Aktualisht, Kosova pozicionohet në vendin e katërt me vetëm 3 pikë pas pesë ndeshjesh (1 fitore, 1 barazim, 3 humbje), ndërkohë që Ishujt Faroe kryesojnë grupin me 7 pikë, të ndjekur nga Holanda me 6 dhe Ukraina me 4.
Përballjet e fundit zhvillohen të dielën: Holanda – Kosova dhe Ishujt Faroe – Ukraina. /RTK/