Kombëtarja e Shqipërisë e ka nisur me fitore aventurën në Ligën C të Ligës së Kombeve, duke triumfuar pastër 2-0 ndaj Bjellorusisë.
Pos fitores, vëmendje të madhe mori atmosfera në shkallët e stadiumit, ku tifozët kuqezi dolën hapur në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në tribunat e mbushura me flamuj kombëtarë, tifozët shpalosën banerin me sloganin tashmë të njohur “Jo në emrin tim”, në shenjë proteste dhe revolte ndaj aktgjykimit dënues të 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Gjatë 90 minutave të takimit nuk munguan as thirrjet e vazhdueshme dhe të njëzëshme në kor “UÇK, UÇK”.
Kjo fitore i jep tri pikët e para Shqipërisë në këtë grup, ku bëjnë pjesë edhe Finlanda e San Marino.
Pas tri ditësh, kuqezinjtë do të luajnë në udhëtim ndaj San Marinos.






