Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka thënë se deklarata e presidentit serb, Vuçiq për ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit është shqetësues dhe e papranueshme.
Ajo ka kujtuar se Konventa a Helsinkit thekson se shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, të parandalojnë dëmet ndërkufitare dhe të mbrojnë ekosistemet ujore.
“Liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike e Republikës së Kosovës. Ky sistem është jetik për furnizimin me ujë të pijshëm të qindra mijëra qytetarëve, për funksionimin e sektorit energjetik, për bujqësinë dhe për ekuilibrin mjedisor të një pjese të rëndësishme të vendit. Prandaj, çdo deklaratë apo veprim që synon ndërhyrjen, dëmtimin, devijimin ose ndryshimin e njëanshëm të rrjedhave ujore dhe infrastrukturës ujore, me pasoja për Kosovën, nuk është çështje e politikës ditore. Është çështje e sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore, dhe duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal nga bashkësia ndërkombëtare”, ka shkruar Pacolli më Facebook si reagim ndaj deklaratës së Vuçiqit, shkruan teve1.info.
Ajo i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë ndaj kësaj deklarate dhe të kërkojnë respektimin e plotë të parimeve.
Pacolli ka thënë se Kosova do t’i mbrojë resurset ujore.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të kërkojnë respektimin e plotë të parimeve dhe detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare. Republika e Kosovës do të mbrojë resurset e saj ujore, infrastrukturën kritike dhe interesin e qytetarëve të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar Pacolli.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaron se Serbia po bashkon ekspertë nga sektori i ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë për të parë se si mund të ndryshohet rrjedha e ujit të Ibrit, duke e lidhur këtë çështje me siç shprehet ai, trajtimin e serbëve nga autoritetet e Kosovë.






