Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, bëri sot homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të 27 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i Kuvendit theksoi se familja Jashari është krijuesja dhe esenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila e ka bërë aktin më sublim të sakrificës për lirinë e Kosovës.
“Anëtarët e Familjes Jashari e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe shpirtin e tyre një të vërtetë, që e ka shpëtuar popullin e Kosovës. E kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa i kapur armët në dorë dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet”, tha kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se për shkak të kësaj sakrifice ne si komb, për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, i detyrohemi më së shumti familjes Jashari.
Pas homazheve, kryetari Konjufca së bashku me kryeministrin Kurti dhe anëtarë të tjerë të delegacionit u mirëpritën në Kullë nga vëllai i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari.