Sistemi i drejtësisë ka kaluar pothuajse i tëri nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas vënies nën kontroll Këshillit Prokurorial të Kosovës që ishte një prej mekanizmave kyç që refuzoi për vite me radhë nënshtrimin ndaj pushtetit, Qeveria Kurti e ka kapur edhe një hallkë tjetër kyçe të sistemit të drejtësisë. Atë që organizon Provimin e Jurisprudencës.
Njësoj sikurse Këshilli Prokurorial, i vendosur nën kontrollin e pushtetit aktual në fillim të këtij viti por ndonëse me peshë më të vogël, Komisioni për Provimin e Jurisprudencës luan rol kyç për funksionimin e sistemit juridik të vendit.
Praktikisht, ai shërben si test final praktik për juristët e diplomar. Pa kalimin e këtij filtri, asnjë i diplomuar në Fakultetin Juridik nuk mund të shërbejë në sistem si gjykatës, prokuror apo avokat.
Nga sot e tutje, ky komision pritet të vihet kryekëput në shërbim të partisë që ka kontroll pothuajse absolut në pushtetin qëndror.
Komisioni për Provimin e Jurisprudencës është bërë me përbërje të re me një vendim të miratuar në mbledhjen e së hënës të Qeveria Kurti III.
Vendimi sjell në krye të mekanizmit që organizon provimin e jurisprudencës të një trupe që në krye ka një njeri të dyshuar për lidhje të ngushta me Vetëvendosjen, ndërsa autoamtikisht shkarkon përbërjen e vjetër, ndaj të cilës qeveria ankohej për gjoja mungesë profesionalizmi.
Arian Gashi, i cili nga shkurti i këtij viti ushtron pozitën e kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i dyshuar për lidhje të ngushta me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, është propozuar për kryetar të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.
Propozim-emërimi i tij për këtë pozitë nga ministrja e re e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është miratuar me unanimitet të plotë nga kabineti qeveritar në mbledhjen e së hënës, raporton Paparaci.
Zëvendëskryetar është emëruar gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Lumni Sallauka, ndërsa anëtarë për katër lëndët që përbëjnë provimin e jurisprudencës janë emëruar: Anita Prenaj-Krasniqi, Burim Shala dhe Bujar Muzaqi. Zëvendësanëtarë janë caktuar: Ersan Qavolli, Arsim Hamzaj, Suada Rama-Hamza dhe Rrezarta Lleshaj.
Propozim-vendimi i miratuar në qeveri do t’i procedohet për miratim Kuvendit të Kosovës. Ai mund të miratohet nga deputetët me shumicë të thjeshtë të votave.
Caktimi i trupës së re të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës nënkupton shkarkimin e përbërjes së vjetër, të cilët u emëruan në dhjetor të vitit 2023 me mandat tre-vjeçar. Ata supozohej të përfundonin mandatin në fund të vitit 2026.
Por, ish-përbërja e këtij komisioni me në krye kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepin, është zhbërë ndonëse Ministria e Drejtësisë nuk ka publikuar asnjë njoftim, as vendim për shkarkimin e anëtarëve të komisionit të kaluar.
Ajo që dihet është se pushteti i Vetëvendosjes shprehu disa herë pakënaqësi me punën e komisionit, i cili shquhej për profesionalizëm, integritet dhe kompetencë në mbajtjen e provimit të jurisprudencës. Kjo tregohet nga kriteret e aplikuara gjatë provimit të fundit, të zhvilluar në prill të vitit 2025.
Vitin e kaluar, qeveria kreu shkelje të drejtpëdrejtë të Ligjit për Provimin e Jurisprudencës, duke mos organizuar më shumë se një afat të këtij provimi. Ligji e obligon që të organizojë së paku tri afate në vit.
Ish-kryetari i komisionit, kryegjyqtari i Supremes, Fejzullah Rexhepi tha muajin e kaluar në një intervistë për Betimin për Drejtësi se ndjen keqardhje për ankesat e Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të komisionit për gjoja mungesë efikasiteti dhe profesionalizmi.
Në fakt, Hasani, i cili është kryetar i gjykatës më të lartë të sistemit të rregullt gjyqësor në vend, asaj Supreme, tha se qeveria është ankuar “numrin e vogël të kalueshmërisë” së provimit.
Kjo, sipas tij, ka një rrjedhë logjike. Ai tha se Komisioni ka aplikuar kritere të njëjta për të gjithë kandidatët dhe se ka kryer me kompetencë detyrat që i përcaktohen me dispozitat ligjore.
“Është për keqardhje mënyra sesi Ministria e Drejtësisë ka bërë reagimin; unë personalisht ndjej keqardhje për këtë reagim sepse Komisioni ka qenë kompetent dhe besoj e ka bërë punën ashtu siç duhet. Çështja e ankesave është çështje që ekziston gjithmonë”, tha Rexhepi.
Sipas Rexhepit, të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar provimit të jurisprudencës i janë nënshtruar të njëjtave kritere.
“Nëqoftëse ne nuk jemi kompetent duhet të merren masa e jo të bëhen reagime [nga Ministria e Drejtësisë, v.j] përmes televizioneve, sepse ne nuk kemi marrë shqetësim të tillë si televizion”, pohoi ai.
Sipas Ligjit për Provimin e Jurispreudencës, kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës kanë mandat tre-vjeçar, por pa mundësi riemërimi. Përbërja e fundit e ushtroi mandatin për pak më shumë sesa dy vjet. Nuk iu nënshtrua pushtetit. /Paparaci.com






