-3.6 C
New York
Wednesday, January 8, 2025

Buy now

“Kjo krizë nuk zgjidhet nga ai që e ka shkaktuar”: Deklarata e Grenellit për raportet Kosovë – ShBA nxit reagime

- Advertisement -

I nominuari nga Donald Trump për Misione të Posaçme në botë, Richard Grenell, sërish ka dhënë një deklaratë të fortë. Në një prononcim për gazetën Nacionale, diplomati amerikan ka thënë se raportet Kosovë – ShBA në kohen e kryeministrit Albin Kurti janë në krizë.

Një deklaratë të tillë ka nxitur reagime të shumta në vend. Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se raportet në mes të këtyre individëve mund të ndikojnë në të ardhmen edhe në raportet në mes të dy vendeve.

Profesori universitar Milazim Krasniqi ka bërë me dije se krizave e raporteve në mes të dy vendeve nuk mund të zgjidhet nga njeriu që e ka shkaktuar.

Ai ka kërkuar që kryeministri Kurti të largohet nga pushteti në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Kjo krizë nuk zgjidhet nga ai që e ka shkaktuar. Qytetarët e Kosovës duhet ta zgjidhin krizën më 9 shkurt, duke çuar shkaktarin e krizës, pra Kurtin, në opozitë. Nuk është çështje ideologjike. Kosova nuk mund t’i mbijetojë edhe katër vite me krizë në raportet e saj me SHBA-në. Sidomos jo me SHBA-në e Trampit”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se keqkuptimet personale nuk duhet të përzihen në marrëdhëniet SHBA – Kosovë.

Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se të gjithë duhet të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje.

“Kuptohet që Richard Grenell është një ‘diplomat jo-diplomatik’ dhe shpesh bëhet edhe kontradiktor. Ndoshta ai duhet të tregojë më shumë maturi dhe vetëpërmbajtje. Është e qartë që nuk e pëlqen Kurtin, por tani gjatë fushatës zgjedhore duhet të tregojë durim dhe të mos ndërhyjë. Ai gjithashtu ka nxituar kur më herët, në postimet e tij, e ka quajtur Donald Trump “të rrezikshëm” për president të SHBA-së, por më pas është treguar i matur duke i fshirë ato postime dhe reagime. Sot, ai është një aleat dhe përkrahës i fortë i Trump”, ka shkruar Muharremi.

Sipas tij, raportet në mes të dy vendeve duhet të forcohen.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë të mira dhe pritet të forcohen edhe më shumë. Me siguri, do të bëhemi partnerë dhe aleatë edhe më të mirë në të ardhmen, kur Kosova të maturohet dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Kosova është jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen speciale të SHBA-së në të gjitha fazat: gjatë lirisë, gjatë pavarësisë dhe tasni, gjatë fazës së konsolidimit dhe zhvillimit”, ka shkruar ai.

Çka tha Grenell?

I nominuarit nga presidenti Donald Trump për Misione të Posaçme në botë, Richard Grenell, dje ka mohuar pretendimet e kryeministrit Albin Kurti, se raportet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyeshme.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se raportet e mira në mes të dy vendeve i ka lënduar kryeministri Albin Kurti.

Sipas tij, të gjithë liderët tjerë kosovarë kanë pasur raportet të mira me ShBA-të.

“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, ka thënë Grenell.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti kishe thënë se nuk ka asnjë problem në raportet në mes të dy vendeve.

“Nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, që janë partneri ynë kryesor. Unë nuk besoj që do të ndikojnë në raportet tona”, ka thënë Kurti në një intervistë për Kosovapress.

Nder të tjera, ai ishte munduar ta minimizonte rolin e Grenallin në administratën Trump.

“Ish-emisari Grenell ka detyrë për Korenë e Jugut (Korrigjim: Kore të Veriut), Venezuelën dhe misione të posaçme, është e rëndësishme çfarë emërime të reja do të ketë në administratë”, ka vlerësuar Kurti

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit