Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar në Debat Plus se nuk e sheh të nevojshëm një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet palëve mund të bëhet për çështje të caktuara, por jo në kuadër të një partneriteti qeverisës.
Haxhiu tha se, për të pasur një qëndrim të përbashkët pas vendimit të 16 shtatorit, nuk është i domosdoshëm krijimi i një koalicioni politik.
“Për të pasur një qëndrim unifikues me 16 shtatorin, nuk na duhet një koalicion i përbashkët. Na duhen veprime të përbashkëta, unifikim për secilin veprim që kemi përpara, kontribut nga secila palë”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se nuk e sheh PDK-në si partner për një qeveri të përbashkët, duke sqaruar se ky është qëndrimi i saj personal.
“Por nuk e shoh që na duhet një koalicion me PDK-në, jo në këtë periudhë. Kjo lidhet me vendimin, por me qëndrimin tonë me PDK-në. Mundemi të bashkëpunojmë në raport me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, të padrejtë. Mirëpo nuk i shoh si partner në qeverisje. Ky është qëndrimi personal”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Haxhiu foli edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke ritheksuar qëndrimin se presidenti nuk duhet të jetë pjesë e një partie politike.
“Pra, po rikthehem te qëndrimi: presidenti duhet të jetë president që nuk duhet të jetë në parti politike. Edhe në këtë situatë që jemi, do të ishte më e mira”, deklaroi ajo.
Sipas Haxhiut, gjatë diskutimeve janë shqyrtuar disa alternativa për kandidatë, përfshirë persona që kanë kontribuar në shoqëri dhe në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Kemi pasur disa alternativa, për emra që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë, në institucionet e Republikës së Kosovës. Insistimi që të kemi kandidat nga radhët e tyre është i gabuar”, tha Haxhiu.
Ajo përmendi edhe kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Glauk Konjufcën, duke thënë se palëve u ishte kërkuar të propozonin emra për presidentin.
“Glauk Konjufca tha: ‘Nga LDK-ja e PDK-ja propozoni ju emra, ne i diskutojmë ato, i vlerësojmë dhe ju kthejmë përgjigje’. Nuk ka pasur emra të tillë”, tha Haxhiu.
Haxhiu shtoi se, nëse kriter do të ishin personat e matur në zgjedhje përmes votave, atëherë, sipas saj, do të duhej të merrej parasysh edhe rezultati i Glauk Konjufcës.
“Nëse hyjmë me persona që janë matur në zgjedhje, atëherë Glauk Konjufca ka mbi 200 mijë vota, nuk e di sigurt. Nëse kemi me persona partiakë, atëherë ku e kemi Glauk Konjufcën?”, tha ajo.






