Kulla: Deklarata e Kuvendit për Specialen nuk mjafton, duhet buxhet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

- Advertisement -

Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka vlerësuar se miratimi i deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një veprim që i bën nder Kuvendit, por ka theksuar se përkrahja institucionale nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata.

Në emisionin “Matrix” në Tëvë1, Kulla ka thënë se pas votimit në Kuvend duhet të ndërmerren hapa konkretë, duke kërkuar që deputetët të shqyrtojnë edhe ndarjen e një buxheti për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit.

Sipas tij, nëse deputetët kanë arritur të sigurojnë mbështetje të gjerë për deklaratën, i njëjti vullnet duhet të shfrytëzohet edhe për masa konkrete.

“U votua, e dënuan, pati konsensus, por nuk u votua për ndryshimin e Dhomave të Specializuara. Nuk ka hap pas hapi, duhet të bëhen gjërat. Këto 99 vota duhet të mblidhen prapë dhe të votojnë një buxhet për mbrojtjen e këtyre njerëzve në Hagë, se me fjalë e me protesta nuk i mbron dot. Pra, nëse ka 99 dhe 100 vota, le të mblidhen dhe le të bëjnë një buxhet të madh në mbrojtje të atyre që kanë aktgjykim, sepse kushton kjo gjëja”, ka deklaruar Kulla.

Ai ka argumentuar se procesi gjyqësor ka zgjatur për vite dhe se mbrojtja përballë akuzave kërkon burime financiare dhe profesionale.

Kulla ka krahasuar burimet e përdorura nga pala e akuzës gjatë viteve të hetimeve me nevojën që edhe të akuzuarit të kenë mundësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes.

“Nëse akuza nga ana e vet e ka pasur një periudhë prej gati 10 vjetësh që është marrë me hetime dhe me punë dhe me buxhet pafund nga vendet më të mëdha të botës, edhe këta që janë në mbrojtje duhet të kenë një paritet, pra një barazim, jo në ato nivele, por të paktën nga pikëpamja ekonomike të kenë një mundësi që të mbrohen”, është shprehur ai.

Kulla ka paralajmëruar se procesi i apelit mund të marrë kohë dhe se institucionet duhet të veprojnë para se çështja të humbasë vëmendjen publike.

“Shiko, vjen shpejt koha e apelit. Dy-tri vjet kalojnë shpejt edhe do të harrohen këto numrat dhe duhet veprim konkret”, ka thënë Kulla.

Ai ka theksuar se, sipas tij, protestat dhe deklaratat politike nuk janë të mjaftueshme për të ndikuar në një proces gjyqësor dhe se mbështetja duhet të shndërrohet në veprime konkrete institucionale.

“Sot ti ke një gjykatë e cila ka dënuar këta katër njerëz dhe shumë të tjerë, si dhe kërcënon edhe dënimin e të tjerëve. Dhe ti mendon vërtet që do të bien këto dënime duke i sharë me protesta? Votimi si ky i sotmi në Kuvendin e Kosovës është në nderin e këtij parlamenti që ka bërë këtë votim, por duhet të kalojnë në hapa konkretë, se po nuk kaloi në hapa konkretë, kjo gjë nuk ka vlerë”, ka deklaruar ai.

Sipas Kullës, koha e kaluar në paraburgim dhe procesi i gjatë gjyqësor e bëjnë edhe më të rëndësishme që mbështetja institucionale të jetë e qëndrueshme.

“Duam s’duam, ne, ata njerëz kanë gjashtë vjet që janë atje brenda dhe do të rrinë edhe nja tri vjet sa të jetë apeli, edhe ja shkuan 10 vjet. Por ata nuk jetojnë sa shqiponja”, ka theksuar Kulla.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se vëmendja publike ndaj kësaj çështjeje mund të zbehet me kalimin e kohës, sidomos për shkak të problemeve të tjera me të cilat përballen qytetarët.

“Kjo fryma emocionale nacionaliste pro atyre që janë dënuar do të kalojë, se vjen dimri, fillojnë hallet, rryma, buka, uji dhe të tjerat harrohen. Por çështja është që ata njerëz aty rrezikojnë të harrohen nëse nuk ka një mbështetje reale për ta”, ka përfunduar Kulla.

Të ngjashme

Të fundit