Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), përmes një përgjigjeje për lajmi.net, ka dhënë detaje lidhur me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, e cila u vra të dielën, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës, nga kunati i saj, Albert Sylaj.
Pas vrasjes, kryesuesi i KGjK-së, Rrustem Thaqi, më 26 tetor 2026 ka adresuar kërkesë urgjente me shkrim te Drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor, duke kërkuar shqyrtimin e dokumentacionit dhe veprimeve të ndërmarra nga Gjykata Themelore në Pejë lidhur me rastin C.nr.1300/2026, si dhe përgatitjen e një raporti për të gjeturat.
Sipas KGjK-së, inspektimi në Gjykatën Themelore në Pejë është realizuar më 26 tetor, ndërsa puna e ekipit është përfunduar më 28 tetor. Po atë ditë, raporti përfundimtar i është dorëzuar Këshillit.
Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Njësia për Inspektim Gjyqësor ka konstatuar se Gjykata Themelore në Pejë e kishte pranuar më 7 shtator 2026 kërkesën për shqiptimin e urdhrit mbrojtës emergjent dhe e kishte regjistruar po atë ditë në regjistrin manual dhe në sistemin elektronik SMIL, në përputhje me Rregulloren nr.17/2024 dhe Shtojcën 2.
Me aktvendimin e 7 shtatorit, Gjykata kishte caktuar urdhër për mbrojtje emergjente për Arlinda Zekaj-Sylajn.
Sipas KGjK-së, kundërshtimi i paraqitur nga pala e mbrojtur dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave nuk kishte të bënte me lëshimin e urdhrit për mbrojtje, por vetëm me pikën III të dispozitivit, e cila lidhej me besimin e fëmijës dhe alimentacionin.
Duke vendosur lidhur me këtë kundërshtim, Gjykata më 16 tetor 2026, me aktvendimin C.nr.1300/2026, kishte aprovuar kërkesën lidhur me besimin e fëmijës dhe çështjen e përcaktuar në dispozitivin e aktvendimit. Kundër këtij aktvendimi nuk ishte paraqitur ankesë nga asnjëra palë.
KGjK-ja ka bërë të ditur se, bazuar në shkresat e lëndës, Arlinda Zekaj-Sylaj e kishte pasur të caktuar urdhrin për mbrojtje gjatë gjithë kohës. Të dy aktvendimet, sipas Këshillit, i ishin përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutim, në përputhje me dispozitivët e tyre.
Në përgjigjen për lajmi.net, KGjK-ja ka dhënë detaje edhe për një kërkesë që Arlinda i kishte drejtuar kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë më 17 shtator 2026. Në atë kërkesë, ajo kishte shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes kishte vendosur në mënyrë të kundërligjshme dhe pas afateve ligjore.
Sipas KGjK-së, kryetari i Gjykatës po atë ditë i ishte drejtuar gjyqtarit të çështjes për të kërkuar informacione lidhur me rastin dhe veprimet e ndërmarra. Gjyqtari ishte përgjigjur po atë ditë.
Më 20 tetor 2026, kryetari i Gjykatës i ishte përgjigjur Arlindës me shkresën GJA.nr.197/26, duke i sqaruar veprimet e ndërmarra nga Gjykata lidhur me rastin.
Ndërkaq, sa u përket raportimeve se kryesuesi i KGjK-së kishte pranuar kërkesë nga Arlinda, Këshilli ka mohuar një gjë të tillë.
Sipas përgjigjes së KGjK-së, kryesuesi ka marrë përgjigje me shkrim nga personat përgjegjës në Sekretariatin e Këshillit se deri më 28 tetor 2026 nuk ishte pranuar asnjë kërkesë nga Arlinda Zekaj-Sylaj. Këshilli ka bërë të ditur se ky konstatim është bërë pas kontrollimit të regjistrit fizik të shkresave të pranuara në zyrën e pranimit të Këshillit dhe në Sekretariat, si dhe të postës zyrtare elektronike të KGjK-së.
KGjK-ja ka theksuar se është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbatimin e drejtë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke përfshirë edhe masa eventuale ndaj personave për të cilët konstatohet se veprimet ose mosveprimet e tyre janë në kundërshtim me legjislacionin.
Në një tjetër zhvillim të lidhur me rastin, KGjK-ja ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Pejë më 26 tetor, në orën 08:56, kishte pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë, me numër PP/II Nr.1340/2026, kundër Jeton Sylajt, bashkëshortit të Arlindës. Sipas Këshillit, aktakuza ishte pranuar pas vrasjes së Arlindës dhe ishte regjistruar me numër P.nr.832/2026, si dhe me numrin unik të SMIL-it 2026:208789.
KGjK-ja ka sqaruar se në këtë çështje gjyqësore palë ishin Arlinda Zekaj-Sylaj dhe bashkëshorti i saj, Jeton Sylejman Sylaj, ndërsa Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen, nuk ishte përfshirë në asnjë shkresë të asaj lënde.
Arlinda Zekaj-Sylaj u vra të dielën nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua mbrëmjen e së martës nga Policia e Kosovës. Një orë para se ajo të vritej, Policia kishte arrestuar bashkëshortin e saj për mosrespektim të vendimit të Gjykatës për urdhërmbrojtje. Me t’u kthyer Arlinda në shtëpi pasi kishte dhënë dëshminë, ajo u privua nga jeta.
Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar një muaj paraburgim bashkëshortit të Arlindës, Jeton Sylajt.






