KE i FFK-së mbajti mbledhjen e radhës, manifestimi “Laureatët e Vitit 2026” mbahet më 20 dhjetor

- Advertisement -

Nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, në të cilën u shqyrtuan çështje të rëndësishme që lidhen me organizimin, mbarëvajtjen dhe zhvillimin e futbollit në vend.

Në këtë mbledhje Komiteti Ekzekutiv vendosi që manifestimi tradicional “Laureatët e Vitit 2026” të mbahet më 20 dhjetor, në orën 17:00, në hotelin “Emerald”.

Për organizimin dhe mbarëvajtjen e ceremonisë është formuar Komisioni treanëtarësh, në përbërje nga Samir Ujkani, Enver Muzliukaj dhe Armend Misini. Në këtë manifestim do të nderohen më të dalluarit e vitit në futbollin e Kosovës.

Në mbledhje u diskutua po ashtu për ecurinë e garave në të gjitha kategoritë, ku u vlerësua se kampionatet po zhvillohen përgjithësisht në nivel të kënaqshëm, por se mbetet e nevojshme ngritja e mëtejshme e cilësisë dhe konkurrencës.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe gjendjes financiare të klubeve, me theks te domosdoshmëria e vendosjes së kritereve më të rrepta në të ardhmen për garantimin e qëndrueshmërisë financiare dhe përmbushjen e obligimeve ndaj futbollistëve.

U vlerësua ndikimi pozitiv i projektit të FFK-së “Ndriçojmë futbollin”, përmes vendosjes së reflektorëve në stadiume, që ka ndihmuar në rritjen e shikueshmërisë së ndeshjeve. Ndërkaq, paraqitja e klubeve kosovare në garat evropiane këtë edicion u vlerësua e pakënaqshme, krahasuar edhe me sukseset e arritura në edicionet paraprake.

Sa i përket ndarjes së drejtësisë u theksua nevoja që të ketë vigjilencë dhe përkushtim edhe më të madh nga zyrtarët e ndeshjeve që të mos ketë lëshime, por njëherësh që edhe kritika ndaj ndarjes së drejtësisë të mos jetë e ekzagjeruar.

Në këtë kontekst u vlerësua rendësia e themelimit të Akademisë së Gjyqtarëve dhe e trajnimit të vazhdueshëm të gjeneratave të reja, të cilat pritet të jenë bazë për ngritjen e cilësisë së referimit në futbollin e Kosovës.

Ndërkohë, është vendosur që nga stinori pranveror edhe Liga e Parë të transmetohet përmes platformës “FIFA+”, krahas Superligës së femrave, ndeshjet e së cilës tashmë transmetohen në këtë platformë.

KE shqyrtoi edhe ecurinë e ekipeve kombëtare. Për Kombëtaren A u konstatua se qëndron ende brenda objektivave, ndërsa sa i përket grupmoshave të reja u vlerësua se është e nevojshme të arrihen rezultate më të mira. Përgjegjësi për kategoritë e reja të ekipeve kombëtare në KE, Samir Ujkani, paraqiti raportin për angazhimet dhe rezultatet e deritashme, duke theksuar objektivat në garat kualifikuese të UEFA-s dhe rëndësinë e zhvillimit të talenteve të reja.

Në fokus të kësaj mbledhjeje ishin edhe projektet infrastrukturore të FFK-së. U theksua se do të vazhdojë projekti i ndërtimit të fushave të reja, ndërsa së shpejti pritet të përfundojë instalimi i reflektorëve edhe në tri stadiume të tjera. Po ashtu, punimet e fazës së dytë po vazhdojnë edhe në Kampin Nacional në Hajvali dhe në Shtëpinë e Futbollit, ku tashmë janë krijuar kushtet për funksionalizimin e FFK-TV-së.

Duke pasur parasysh se FFK tashmë ka arritur t’i përmbushë në kohë rekorde po thuajse të gjitha objektivat nga strategjia katërvjeçare, u theksua se së shpejti në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n do të hartohet strategjia e re, ku në fokus do të jetë investimi ku ka zhvillim e progres.

Në fund, KE shqyrtoi edhe kërkesa dhe parashtresa të ndryshme, si dhe çështje të tjera që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit