Një gol që mund të jetë kandidat për më të mirin e sezonit nga talenti adoleshent Kerim Alajbegovic i hapi rrugën Juventusit drejt një fitoreje jashtëzakonisht të rëndësishme 2-0 ndaj Napolit në Serie A.
Ndërkohë, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, i cili po përballet me presion të madh, regjistroi vetëm fitoren e tij të tretë në shtatë ndeshjet e fundit (dy barazime dhe dy humbje), pikërisht në ditëlindjen e 129-të të klubit.
Sulmuesit të Napolit, Lorenzo Lucca, iu besua vetëm titullarizimi i dytë këtë sezon, pasi Rasmus Hojlund mungoi për shkak të sëmundjes.
26-vjeçari ishte shumë pranë t’i jepte epërsinë skuadrës së tij që në fillim, por goditja e tij me kokë në minutën e shtatë u ndal nga Guglielmo Vicario.
“Partenopeit” synonin ta vazhdonin serinë e tyre prej 11 golash në tri ndeshjet e mëparshme (dy fitore dhe një barazim), por kjo ishte e vetmja herë që arritën ta rrezikonin portierin e Juventusit para pushimit, pavarësisht posedimit më të madh të topit.
Edhe “Bianconerët” nuk ishin shumë të rrezikshëm në sulm, ndonëse iu afruan golit kur një goditje nga këndi në minutën e 28-të u devijua nga Juan Cabal, i cili po e zhvillonte ndeshjen e parë si titullar me Juventusin që nga shkurti, dhe topi përfundoi në shtyllën e largët.
Ky rast u pasua nga disa mundësi të tjera, me Noa Lang dhe Alajbegovic që goditën mbi portë në vazhdimësi, përpara se ky i fundit ta detyronte Alex Meretin të bënte pritjen e parë të mbrëmjes, kur goditja e tij e ulët u ndal në sekondat e fundit të pjesës së parë.
Të dy trajnerët reaguan ndaj 45 minutave të para zhgënjyese duke bërë ndryshime në pushim.
Te vendasit, Federico Gatti e zëvendësoi Weston McKennien. Ndërkohë, Marco Landucci, i cili po e drejtonte Napolin për shkak të pezullimit të Massimiliano Allegrit nga qëndrimi në vijën anësore, aktivizoi Amir Rrahmanin dhe Billy Gilmourin në vend të Giovanni Di Lorenzos dhe Kevin De Bruyne.
Megjithatë, zëvendësimet nuk patën efektin e dëshiruar, pasi asnjëra skuadër nuk arriti të bëhej veçanërisht kërcënuese.
Juventusi mund ta kishte vazhduar serinë e tij negative, pasi këtë sezon nuk kishte shënuar asnjë gol në 15 minutat e para të asnjërës pjesë në kampionat.
Megjithatë, goli i parë ia vlejti pritjen. Alajbegovic e shënoi golin e tij të parë në Serie A në mënyrë spektakolare, duke depërtuar përpara dhe duke lëshuar një goditje të jashtëzakonshme që përfundoi në rrjetë pasi u përplas në shtyllën e largët.
Boshnjaku u asistua nga ylli kosovar, Edon Zhegrova, i cili pati një depërtim fantastik nga ana e djathtë.
Situata u përkeqësua edhe më shumë për skuadrën e Allegrit, pasi mbrojtësi Luca Marianucci u përjashtua me karton të kuq pas kartonit të dytë të verdhë, në ndeshjen e tij të parë si titullar me Napolin që nga shtatori i vitit 2025.
Kartoni i kuq ua vështirësoi mysafirëve përpjekjet për të barazuar rezultatin, ndërsa Jeremie Boga e vulosi fitoren tri minuta para fundit me një tjetër gol të shkëlqyer. Ai u fut nga krahu brenda në zonë dhe e dërgoi topin me një goditje të harkuar në këndin e largët të portës së Meretit, duke shënuar golin e tij të parë këtë sezon.
Kjo fitore e ngjit Juventusin në vendin e shtatë në Serie A, një pozitë mbi Napolin, ndërsa përfaqëson vetëm triumfin e tretë në 11 përballjet e fundit mes këtyre dy skuadrave (dy barazime dhe gjashtë humbje).
Derisa presioni mbi Spallettin është zbutur, ai tashmë po rritet mbi Allegrin, skuadra e të cilit ka regjistruar vetëm dy fitore në udhëtim këtë sezon.






