Barcelona po përgatitet ta përforcojë repartin defensiv në janar, pasi klubi aktualisht po përballet me mungesa të shumta për shkak të lëndimeve.
Reparti i mbrojtjes ishte tashmë pika më e dobët e klubit katalunas, ndërsa vendimi i Barcelonës për të mos bërë përforcime në këtë repart gjatë verës tashmë po i kushton shtrenjtë.
Tani, klubi duket i vendosur ta zgjidhë këtë problem në janar, por gjendja e tij financiare mund ta detyrojë të marrë një vendim të vështirë.
Hansi Flick dëshiron ta shtojë edhe një qendërmbrojtës në skuadër dhe, me shumë gjasë, Barcelona do të duhet ta shesë një lojtar për ta financuar këtë transferim.
Sipas “MARCA”-s, Alejandro Balde është shfaqur si kandidati kryesor për t’u larguar nga klubi në afatin kalimtar të janarit.
Mbrojtësi 23-vjeçar nuk ka arritur ta bindë Hansi Flickun këtë sezon dhe nuk e ka nisur asnjë ndeshje si titullar nën drejtimin e trajnerit gjerman.
Flick dhe drejtori sportiv, Deco, janë të interesuar të sjellin një tjetër qendërmbrojtës, pas problemeve që skuadra ka pasur në fillim të sezonit.
Megjithatë, klubi dëshiron të transferojë vetëm një futbollist që mund ta përmirësojë vërtet skuadrën dhe nuk synon të sjellë lojtarë vetëm sa për të bërë një përforcim.
“Ne gjithmonë kërkojmë atë që është më e mira për skuadrën. Nëse mund të bëjmë diçka, ndoshta do ta bëjmë”, shpjegoi së fundmi Flick.
Pengesa financiare mbetet e konsiderueshme. Barcelona mund të ketë nevojë të krijojë hapësirë financiare përpara se të synojë transferimin e një lojtari të nivelit të lartë.
Shitja e një futbollisti si Balde për një shumë të mirë parash do t’i mundësonte klubit katalunas që ato mjete t’i shfrytëzonte për një transferim pas disa muajsh.
Balde ka kaluar nga një titullar i padiskutueshëm te Barcelona në një lojtar që nuk po arrin të sigurojë një vend në formacionin bazë.
Në ndeshjen e mbrëmshme kundër Deportivo Alaves, Hansi Flick vendosi ta aktivizonte Brian Farinasin në formacionin titullar në vend të tij, ndërsa Baldes i dha vetëm rreth 30 minuta lojë në pjesën e dytë.
Me Joao Cancelon dhe Xavi Espartin që tashmë janë pjesë e planeve në pozitën e mbrojtësit të majtë, duket shumë e vështirë që Balde të marrë minuta pasi të gjithë lojtarët të jenë rikuperuar nga lëndimet.
Hansi Flick ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk është i kënaqur me atë që spanjolli po tregon në stërvitje dhe se atij i mungon besimi për të luajtur në sistemin e tij.
Megjithatë, Balde vazhdon të hezitojë të largohet nga Barcelona. Ai e refuzoi këtë mundësi gjatë verës dhe ende beson se mund ta rifitojë besimin e Flickut.
Për klubin, shitja e një futbollisti të dalë nga akademia do të ishte një vendim i rëndësishëm. Dikur konsiderohej si një lojtar me potencial për t’u bërë yll, por karriera e Baldes duket se ka ngecur.
Sfida për Barcelonën është të sigurohet që të mos marrë një vendim të nxituar për Balden, duke pasur parasysh se ai është vetëm 23 vjeç dhe e ka pothuajse të gjithë karrierën përpara.
Megjithatë, nëse në janar duhet të bëhet një sakrificë, Balde duket emri më i mundshëm për t’u larguar, ndërsa mbetet të shihet se si do të zhvillohet e ardhmja e mbrojtësit spanjoll.






